Gazeta Si - Reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë kryeqytetin shqiptar që prej mesditës së kësaj të premteje.
Një nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e makinave.
Ndërkohë në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra.
Ndërkohë, rrugët e kryeqytetit janë përmbytur nga reshjet e mëdha të shiut, duke bërë kështu paralizimin e shumë akseve.
Disa rrugë janë përmbytur, si te zona e "Pallatit me Shigjeta, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Sakaq lumi i Lanës rrezikon që të dalë nga shtrati, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj i ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes në rrugë dhe të kufizojnë lëvizjet.
Moti i keq me erëra të forta ka krijuar probleme edhe në Shkodër. Një pemë e madhe pranë ndërtesës së Bashkisë Shkodër është rrëzuar dhe ka zënë 4 mjete.
Era e fortë dhe reshjet e shiut janë kthyer në qytetin bregdetar të Durrësit, duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Shumë kryqëzime rrugësh në lagje të ndryshme të qytetit janë bllokuar nga uji.
Kjo situatë ka ndikuar dhe trafikun detar. Anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimin deri në përmirësim të motit, ndërsa deti i dallgëzuar nuk paraqet probleme për tragetet dhe anijet e tonazhit të madh deri në këto momente. Për shkak të motit ka ndërprerje të energjisë dhe në disa zona të qytetit.
Stuhia pritet që të vazhdojë përgjatë gjithë pasdites dhe ditës së shtunë, 3 nëntor. Pritet që dita e dielë të sjellë përmirësim të kushteve të motit, por gjithsesi reshjet e shiut dhe vranësirat do të mbeten prezente në të gjithë territorin e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.