Reshjet e dendura të shiut që shkaktuan përmbytje në disa zona të vendit tashmë ia kanë lënë vendin temperaturave të ulëta dhe borës.
Në zonat malore mbrëmjen e kaluar kanë nisur reshjet e para të dëborës për këtë vit si në Bulqizë, Kukës, Korçë e Qafën e Llogorasë.
Në qarkun e Korçës reshjet e dëborës nisën me intensitet të dobët, për t’u shtuar më pas gjatë natës.
Për herë të parë këtë dimër qytete si Korça, Erseka dhe Pogradeci janë zbardhur nga dëbora. Deri në këto momente nuk raportohen problematika në qarkullimin e automjeteve në akset nacionale dhe as në qafat problematike si Qafë Thana, Qarri, Gorica apo rruga e Dardhës dhe Voskopojës ku reshjet kanë qenë më të dendura për shkak të lartësisë.
Problematika janë shënuar në disa fshatra të thellë të Korçës ku ka pasur shkëputje të energjisë elektrike. Edhe fundjava parashikohet të jetë e përfshirë nga reshjet e dëborës.
Me intensitet të lartë kanë qenë dhe reshjet e borës në Qafën e Llogorasë në Vlorës.
Mbrëmja e djeshme ka përkeqësuar situatën edhe në zonat malore të Qarkut Dibër.
Rënia e ndjeshme dhe e menjëhershme e temperaturave ka bërë që vendi të mbërthehet nga akulli.
Në lartësinë mbi 500 metra mbi nivelin e detit pati edhe reshje dëbore.
Situata më problematike paraqitet në njësitë e thella të Bashkisë Dibër, si në Lurë, Kala e Dodës, Arras, Selishtë, Zall-Dardhë, ku trashësia e borës varion nga 10 deri në 20 cm.
Ndërkohë, Policia iu ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes pasi rruga mund të jetë e rrëshqitshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.