Sociale

Reshje bore në juglindje dhe veri, ARRSH: Qarkullim pa probleme në akset kombëtare

Gazeta Si - Me uljen e temperaturave, janë rikthyer reshjet e borës në juglindje dhe veri të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) informon se gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar në akset rrugore Korçë-Dardhë, Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, ndërsa thotë se nuk ka pasur probleme në qarkullim.

Në zonat malore të veriut nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve, pasi rrugët janë të kriposuara dhe të pastruara nga dëbora.

Si pasojë e motit të përkeqësuar gjatë fundjavës ka pasur rënie gurësh dhe intertesh, që janë pastruar nga mjetet dhe punonjësit që mbeten në gatishmëri për çdo problematikë që mund të shfaqet.

Në aksin Bogë-Theth, dëbora vazhdon me intensitet të lartë dhe po punohet me dy borëpastruese për të mbajtur hapur aksin për qarkullimin e mjeteve.

Në akset Hani Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh ka reshje shiu, ndërsa në lartësitë mbi 900 metra ka prezencë të reshjeve të dëborës.

ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në këto segmente me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë