Lajme

Republika Sprska “përzë” Behgjet Pacollin nga Bosnja

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka anuluar papritur pjesëmarrjen në një takim të nivelit të lartë në Bosnje pasi lideri i Republikës Sprska, Milorad Dodik, deklaroi se ai nuk ishte i mirëpritur në rajonin autonom serb. Përfaqësuesi i diplomacisë së Kosovës kishte planifikuar të takohej ditën e sotme me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Europës Juglindore, në Banja Luka, kryeqytetin de facto të republikës serbe të Bosnje, por “mirëpritja e pazakontë” e Dodik duket se ka bërë që ai të tërhiqet.

"Kam anuluar pjesëmarrjen time në takim për shkak të kërcënimeve të Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili më tha sot se delegacioni im nuk është i mirëpritur në Banja Luka," shkruan Pacolli në profilin e tij në Facebook. "Me politikanët si Dodik, rajoni nuk mund të ece përpara”, shton ai, duke nënvizuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal.

Dodik deklaroi nga ana tjetër për mediat vendase se rajoni i tij nuk e ka njohur kurrë Kosovën si shtet të pavarur. “Ministri i atij vendi të rremë nuk mund të jetë i mirëpritur në Republikën Srpska", tha ai.

Bosnja, e përçarë mes dy rajoneve etnike dhe e udhëhequr nga qeveri të dobët, nuk e ka njohur ende Kosovën për shkak të kundërshtimeve të serbëve të Bosnjes, të cilët ndjekin me devotshmëri politikën e aleatëve të tyre në Serbinë fqinje. Dodik ka këmbëngulur prej kohësh për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe ka intensifikuar retorikën nacionaliste pas deklaratave të Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik

Edhe pse marrëveshja e propozuar e Vuçiç duket se ka të bëjë vetëm me Kosovën, ajo prek në fakt edhe Bosnje Hercegovinën. Dodik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Vuçiç të përdorë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, për rihapjen e statusit të serbëve të Bosnjës, si hapi i parë drejt këtij bashkimi të ardhshëm. Ai e ka bërë këtë kërkesë shpesh në praninë e Vuçiçit, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Sarajevë. Dodik shprehet se republika Srspska është e destinuar të bëhet pjesë e shtetit serb në shekullin 21. Sipas tij, bashkimi më Beogradin duhet të jetë detyra e vetme e elitës politike serbe në vitet qe do të vijnë.

 Sikur të mos mjaftonte ekspertët perëndimorë kanë ngritur alarmin kohët e fundit se plani i vërtetë i Thaçit dhe Vuçiç mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga qeveria serbe në këmbim të dhënies së një lloj autonomie serbëve që jetojnë brenda territorit të Kosovës. Sipas “The Economist” kjo do t’u mundësonte serbëve që jetojnë në Kosovë të formojnë një republikë të pavarur, të ngjashme me Republikën Sprska në Bosnjë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë