Ngjarje

Reportazh/ Lirohen dhomat në dy godinat e ‘Qytetit Studenti’, gati 500 shtretërit e parë për refugjatët afganë

Nga Anxhela Celanji – Në “Qytetin Studenti”, godinat 24-25 po përgatiten për të pritur afganët e parë që po ikin pasi vendi i tyre është nën kontrollin e talebanëve. Gjatë një vëzhgimi të Gazetasi.al, dy godinat janë të zbrazura nga studentët që qëndronin deri një ditë më parë. Dhomat e të dyja godinave po pajisen me gjithçka të domosdoshme për të jetuar.

Një ndër kujdestaret e kësaj godinë e cila së bashku me disa punëtorë të tjerë po pastron, i tha Gazetasi.al se kapaciteti total i këtyre dy godinave është për rreth 500 persona. Secila e dhomave në godinat 5 katshe ka kapacitet për të strehuar dy ose tre persona. Kujdestarja tha se ka marrë urdhër ditën e hënë për të lajmëruar studentët që të mbledhin rrobat e tyre dhe gjerat e tyre për tu zhvendosur. Ndërkaq Bashkia e Tiranës konfirmoi për Gazetasi.al se studentët do të sistemohen në godinat e tjera të “Qytetit Studenti”.

Dy studente që po zhvendoseshin me valixhe në duar i thanë Gazetasi.al se janë të pakënaqura me vendimin.
“Dolëm në moment të fundit pa ditur gjë! Duhet të na kishin thënë më parë se tani nuk e dimë as ku do rrimë as me kë do rrimë. Një herë na thonë do shkoni tek godina 7 pastaj tek 2-shi nuk po marrim vesh,” thonë ato.

Sipas tyre në këto godina jetonin rreth 30 vajza të cilat kishin qëndruar për arsye pune njëjtë si ato gjatë verës. Vajzat tregojnë se kujdestaret e godinave iu kishin thënë se nuk pranohen as regjistrime shtesë, pasi godinat do të jenë të zëna.
“Një shoqe është regjistruar para një jave dhe sot i thanë që duhet të shkojë në godinë tjetër. Kur kërkoi lekët që kishte paguar i thanë të kthehej më vonë,” shtoi njëra nga studentet.
Sipas tyre, kujdestaret iu kishin thënë se afganët do të akomodoheshin për 4 javë në këto godina dhe më pas godinat do të lirohen për studentët në nisje të vitit të ri akademik.

Gazetasi.al u përpoq të komunikonte me drejtorinë e konvikteve për të kuptuar se cila do të jetë periudha kohore e saktë që do të qëndrojnë afganët në “Qytetin Studenti”, por nuk mori një përgjigje. Konviktet tashmë duken disi të zbrazëta, por nuk do të jetë kjo panorama në fund të shtatorit kur studentët përgatiten për kthimin në universitet.
Sipas informacioneve paraprake, pritet që kontingjenti i parë me 250 afganë pritet që të mbërrijnë nga ora në orë në aeroportin e Rinasit. Ata janë përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan bashkë me familjet e tyre. Kryeministri Rama njoftoi të dielën se kishte pranuar strehimin e disa qindra afganëve në Shqipëri. Numri i saktë ende nuk dihet, por besohet se mund të jetë rreth 2 mijë.
Përveç godinave të konvikteve që do të jenë streha e parë e tyre, po mendohet edhe akomodimi në disa hotele apo godina në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë