Mendim

Rënia e të “fortit” të Maqedonisë, dy vite burg për Gruevskin

Shpërdorim detyre, korrupsion dhe abuzim me tenderat për blerjen e një automjeti luksoz . Për shumë ekspertë, Nikola Gruevski është simboli i politikës së korruptuar maqedonase. Për nacionalist është dhe do të mbetet lideri historik i vendit fqinj. Por për prokurorët,  fundi i politikanit që udhëhoqi për më shumë se 10 vjet Maqenoninë është tanimë më afër se kurrë.

Edhe pse akuzat dhe skandalet vinin rrotull prej kohësh, ish-kryeministri është dënuar të premten nga Gjykata e Apelit të Shkupit me dy vjet burg. Ky vendim u mor fillimisht më 24 maj nga Gjykata Penale, për rastin hetimor “Tanku”, por Gruevski vendosi ta apelonte. Gjykata Penale e Shkupit dënoi gjithashtu me gjashtë vjet e gjysmë burg një tjetër të akuzuar, ish zëvendësministrin e brendshëm, Gjoko Popovski, dënimi i të cilit është shkurtuar tanimë me katër vite. Sipas raporteve, Gruevski i kishte kërkuar ministres Jankulloska t’i blinte një Mercedez që kushtonte më shumë se 580,000 eurosh, por kjo e fundit kishte urdhëror Popovskin të niste procedurën e tenderimit, duke favorizuar kompaninë “Mak Auto Star”.

Pak para seancave gjyqësore, Gruevski u tha gazetarëve se të gjitha hetimet ishin manipuluar kundër tij nga qeveria aktuale, e udhëhequr nga Social Demokratët. Ish-kryeministri po hetohet për një sërë akuzash që dolën fillimisht në dritë për shkak të disa përgjimeve të paligjshme që Social Demokratët i bënë publike gjatë vitit 2015. Publikimi i këtyre përgjimeve, të cilat përmbajnë kaseta të regjistruara fshehurazi të bisedave zyrtare, zbuluan se Gruevski kishte orkestruar mbikëqyrjen ilegale të rreth 20.000 personave. Partia VMRO DPMNE ka udhëhequr Maqedoninë që nga viti 2006, por u rrëzua nga pushteti vitin e kaluar, duke detyruar Gruevskin të jepte dorëheqjen. Gruevski dhe shumë ish-zyrtarë të tjerë që janë duke u përballur me hetime, pohojnë se këto përgjime janë regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të përdoren në gjykatë.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski 

Vendimi për burgosjen e Gruevskit ishte i pari në pesë rastet gjyqësore të ngritura kundër tij nga Prokuroria Speciale, SJO, e njohur për hetimin e krimeve të nivelit të lartë, sidomos çështjen hetimore “Tank”. Por përveç skandalit të mercedesit, Gruevski akuzohet edhe  për pesë çështjet të koduara me emrin “TNT”, “Titanik”, “Traktorija” dhe “Shamari”.

Në çështjen e parë, “TNT”, SJO e akuzon Gruevskin për “shpërdorimi detyre”, për të cilin dënimi maksimal është tre vjet burg. Ai dyshohet se ka urdhëruar prishjen e një ndërtese, që po ndërtohej nga ish-aleati i tij politik, Fijat Canovski, si një akt hakmarrjeje politike pasi partia e Canovskit u largua nga koalicioni i udhëhequr nga Gruevski.

Dosja e dytë, e koduar me emrin “Titanik”, është “arma më e rëndë” që autoritetet kanë patur në dorë kundër ish-kryeministrit. Ajo akuzon Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë në VMRO DPMNE për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013. Në këtë rast, ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ku përballet me një dënim nga një deri në pesë vjet burg; shpërdorimin e aseteve gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet dhe shkeljen e lirisë së zgjedhësve, me një dënimi minimal prej tre vitesh burg.

Në çështjen e tretë, “Traektorija”, SJO ka paditur Gruevskin dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët besohet se kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke dhënë një kontratë prej 570 milionë eurosh për të ndërtuar dy segmente autostradash të një kompani ndërtimi kineze. Për këtë çështje, Gruevski mund të dënohet nga një deri në tre vjet burg.


Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski  dhe Vitkor Orban

Për më tepër, Gruevski është përfshirë edhe në një çështje të pestë të quajtur “Shamari”, ku akuzohet se ka urdhëruar një sulm ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij në vitin 2013. Ai akuzohet se ka nxitur vepra penale kundër rendit publik, për të cilin dënimi është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim. Ai gjithashtu është i dyshuari kryesor në një nga hetimet më të mëdha dhe më të ngatërruara që SJO nisi më 22 maj nën emrin e koduar “Talir”. Këtu, Gruevski dhe dhjetë anëtarë të tjerë të partisë së tij, dyshohet se kanë financuar ilegalisht ish-partinë në pushtet duke pastruar paratë.Duke mbledhur dënimet maksimale me burg për të gjitha çështjet së bashku, teorikisht, Gruevski mund të përballet me 27 vjet burg.

Ish-kryeministri i Maqedonisë duket se ka nisur tanimë një garë ligjore kundër kohës, në përpjekje për t’i shpëtuar dënimit dyvjeçar. Dënimi në Gjykatën e Apelit erdhi pasi shtyrjes së seancës për shkak të mungesës së ish kryeministrit, të cilën avokatët e tij e justifikuan me detyrimin  për t'u paraqitur në një gjyq tjetër në gjykatën penale në Shkup. Por edhe pse Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimit dy-vjeçar, Gruevski do të ketë edhe një mundësi tjetër, për të apeluar në Gjykatën Supreme. Tani për tani ai pritet të thirrët në gjyq, ndërkohë që Gjykata Supreme heton dosjen.

I konsideruar si i “forti” i politikës maqedonase, Gruevski ishte kryeministër nga viti 2006 deri në 2016. Partia e tij e djathtë VMRO DPMNE u rrëzua në 2017 pas një krize politike në të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u akuzuan për instalimin e një sundimit autoritar dhe të korruptuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë