“Jam vendosur në Tiranë në vitin 1996, kur ndërtova dy katet e para të banesës me kursimet e mia ndër vite nga puna në emigracion , konvertimi i biletave me vlerë dhe kompensimi i burgimit të padrejtë të babait gjatë periudhës së diktaturtës”..
Kështu i përgjigjej midis të tjerash prokurorit të SPAK-ut, Adriatik Llalla në kulmin e hetimeve që startuan në Durrës dhe përfunduan në Tiranë.
I kontrolluar mbi pasuritë përmes deklaratave të dorëzuara prej tij pranë ILDKPI-së , institucion që ai e drejtoi përpara se të merrte në vitin 2012 drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. ILDKPI është institucioni që sakaq heton pasuritë dhe deklaratat e pasurive të zyrtarëve shtetërorë, por edhe të njerëzve më të rëndësishëm të politikës që në atë kohë përzgjedhja dhe hetimi i tyre administrativ kryhej përmes shortimit manual.
Ndryshe nga ajo që Llalla deklaron në SPAK, kur kujton se tokën e bleu “duke qenë se familjarët e tij vinin nga fshati dhe i kërkonin në mënyrë të vazhdueshme t’u blinte një sipërfaqe, ku të kishin mundësi të punonin kopshtari”, gjatë karrierës së tij si jurist, atij nuk i mungoi aspak përkrahja politike.
I angazhuar si prokuror i thjeshtë në disa qytete, por edhe i panjohur për dosjet e forta , ndonëne ka punuar përgjatë 1997-ës si përfaqësues i akuzës në qytete të trazuara, Llalla u katapultua si Prokuror i Përgjithshëm, menjëherë pas mbarimit të mandatit të Ina Ramës.
Ina Rama ishte një prokurore e përgjithshme (aktualisht gjyqtare në KPA), që vinte nga gjyqësori, si një magjistrate e emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Por ajo u sulmua fort nga kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha për dy dosje të mëdha, për të cilat gruaja që ishte prezantuar si Silvia Konti, më pas u fye publikisht. Ishte koha kur Ina Rama drejtonte akuzën, teksa kjo e fundit duhet të hetonte “Gërdecin” e më pas “21 janarin”.
Jo zyrtarisht, u komentua se Llalla e mori stafetën e hetimit dhe drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme nën ndikimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës, teksa fillimisht u mbështet edhe nga ndërkombëtarët , kur një nga takimet që u bë publik për mediat, ishte edhe takimi kortezial midis ish ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili i la të kuptohej ish-Prokurorit të Përgjithshëm se kërkohej seriozitet dhe angazhim për dosjet e mëdha.
Jo fare rastësisht, ky takim përkonte me afatin kur kishte pak kohë që Gjykata e Apelit mbylli dosjen e “21 janarit” dhe pas presionit të ndërkombëtarëve, Prokuroria e Përgjithshme shpejtoi të depozitojë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke mos u pajtuar me vendimet kundër Ndrea Prendit, ish komandant i gardës dhe Agim Llupos, që të dy nën akuzë për vrasje.
Megjithatë, bonusi i besimit që fitoi Llalla, teksa drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme, ishte hetimi i prokurorisë së kryeqytetit ndaj ish-guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani , i cili përfundoi i arrestuar përkohësisht dhe më pas jo vetëm që u lirua, por u shpall i pafajshëm dhe akoma më tej u dëmshpërblye nga Gjykata Administrative.
Teksa ndërkombëtarët kërkonin rezultate në gjuhë të moderuar, ambasadori i dytë i SHBA-së, Donald Lu, në periudhën që drejtonte ai, doli përballë dhe përmendi emra të kriminelëve famëkeq, duke lakuar Lul Berishën dhe Shullazin, si problematikët që nuk po ndëshkoheshin.
Ky takim i mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë , ishte termometri që tregoi se dashuria dhe mbështetja e amerikanëve kishte marrë fund dhe se durimi i tyre, duke pritur rezultate kundër të pandëshkueshmëve kishte marrë fund.
Teksa dalëngadalë Llalla po i afrohej përfundimit të mandatit, krisja tjetër ishte ajo e ngërçit për anëtarët e KED-it , që pritej për t’u plotësuar.
Sërish ish-ambasadori Lu akuzoi Adriatik Llallën se po pengonte reformën dhe me këtë klimë ai përfundoi detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm që ishte i fundit që drejtonte një prokurori të centralizuar.
Me shpalljen “non grata”, së bashku me anëtarët e familjes së tij, Llalla u shfaq përmes një letre, ku informonte se përplasjet kishin nisur pasi ambasadori i kishte kërkuar arrestimin e një personi të rëndësishëm.
“Lu i sugjeroi prokurorit të përgjithshëm arrestimin e Metës, Kryetar Parlamenti dhe njëkohësisht kryetar i LSI-së . Në vlerësimin e Lu, Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte reformën në drejtësi”, – ishin të dhënat e kësaj letre që u bënë publike në atë kohë
Por njëkohësisht Llalla, të cilit makineria e Vettingut kishte nisur t’i procesonte deklaratat e pasurisë , ndonëse ai u dorëhoq, procesi vijoi përkohësisht derisa në KPA , Vettingu u ndërpre.
Sakaq në prokurori, referuar të dhënave të procesit, nisi hetimi për tre vepra penale që pas shpalljes së mos kompetencës mbeti në fuqi vetëm një vepër, ajo e fshehjes së pasurisë.
Gjetjet e SPAK-ut zbuluan toka dhe një apartament dhe investimine shtesës të shtëpisë. Por për tokën, Adriatik Llalla i tha SPAK-ut, “i detyruar nga rrethanat e shita tokën në 2016. Në fund të muajit prill, për shkak të rrezikimit nga një grup kriminal dhe pas arretsimit të Shullazit, kam vendosur të largohem nga Shqipëria. Për shkak se ka qenë një nga goditjet më të mëdha në atë kohë kundër grupeve kriminale e për shkak të mos besimit, se policia po i jepte mbështetjen e duhur, i kam kërkuar ndihmë SHISH-it, të cilët për dy javë më mbajtën nën ruajtje dhe vëzhgim. Pas kësaj situate, vendosa të largoj familjen në Bremen të Gjermanisë , fëmijët nuk i çoja dot në shkollë publike, pasi nuk dinin gjermanisht, ndaj muajt e fundit i kryen në shkollë private”.
Përmes këtyre shpjegimeve dhe jo vetëm Llalla pretendoi në SPAK se vështirësisë e kishin detyruar të huazonte para nga shtetasi M.L dhe jo vetëm. Por çdo provë dhe çdo dëshmi nuk u konsiderua në favor të tij dhe në përfundim ish prokurori I përgjithshëm , i pari zyrtar i një niveli kaq të lartë u shpall fajtor, pikërisht për pasuritë që u zbuluan nga një proces që mbështetet nga të huajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.