Nga Gazeta ‘Si’ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj njoftoi sot masat e marra që do të vijnë në ndihmë të eksportuesve të cilët janë prekur nga zhvlerësimi i euros.
“Ne e kemi analizuar shqetësimin e rënies së euros. Gjatë muajve të fundit duke qenë se euro ka ardhur në zhvlerësim, të ardhurat e eksportuesve kanë ardhur në reduktim ndërkohë që shpenzimet kanë mbetur konstatante dhe ndonjëherë edhe mund të jenë rritur.
LEXO EDHE:
– Konfindustria: Ndërhyrja e BSH në kursin e këmbimit do sjellë humbje. Duhet paketë nga qeveria
– Sejko takim me eksportuesit: Forcimi i lekut tregon përmirësimin e ekonomisë. Nuk ju ka dëmtuar
Kemi vendosur bashkarisht që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje afatshkurtër për rritjen e likuiditeteve të kompanive eksportuese, të ngurtësojë, parapagimin e kësteve të tatim fitimit për të gjithë kompanitë eksportuese që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe të prodhimit të tyre.
Ne kemi përgatitur një akt normativ, që do të miratohet shpejt nga qeveria, me qëllim që këto kompani të mos paguajnë këste tatim fitimi duke krijuar kështu një mundësi të rritjes së likuiditetit që kompanitë kanë në dispozicion.
Nga ana tjetër do të marrim masa me qëllim që rimbursimi i TVSH-së që merret nga eksportuesit pranë administratës tatimore, që duhet të jepet brenda një afati 30 ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, do të jepet me një afat më të shkurtër, brenda 3 ditëve”, u shpreh Ibrahimaj.
Më tej ajo tha se këto dy masa afatshkurtra do të merren gjatë javëve në vijim ndërkohë që njoftoi se kanë vendosur për krijimin e një grupi pune të përbashkët, me qëllim analizimin më tej të situatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



