Gazeta Si – Një operacion i befasishëm i forcave speciale u zhvillua mëngjesin e kësaj të shtune në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku SPAK ka lëshuar 7 urdhër-arreste për disa ngjarje kriminale.
Në rrugë jo zyrtare, mësohet se operacioni vjen pas arrestimit të Florjan Plaku në Orikum dhe sekuestrimit të telefonit të Pole Qorri, ndërsa hetimet kanë vijuar prej disa kohësh nga SPAK.
Paraprakisht mësohet se është zbardhur vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021. Rreth orës 18:16 të asaj dite, që për ironi ishte po e shtunë, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit, 40 vjeçarit iu bë atentat nga një automjet në lëvizje.
Qarri mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.
Aksioni është realizuar nga efektivët e RENEA, të cilët kanë ndërhyrë në terren duke rrethuar një perimetër të gjerë në zonë.
Sipas burimeve paraprake, disa eksponentë të dyshuar kriminalë kanë qenë prej kohësh nën vëzhgim, çka ka çuar në ndërhyrjen e sotme në këtë zonë.
Aksioni është organizuar nga forcat RENEA në bashkëpunim me SPAK, ndërsa më pas është kërkuar edhe mbështetja e Policisë së Vlorës. Në operacion është përfshirë gjithashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Në operacion janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe automjete të blinduara.
Aksioni është monitoruar edhe nga ajri përmes një droni, i cili ka shërbyer për të kontrolluar zonën dhe për të koordinuar veprimet në terren.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për objektivin e operacionit apo nëse ka persona të shoqëruar. Pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë detaje në vijim lidhur me aksionin e zhvilluar në këtë zonë të Vlorës.
Në përditësim…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje