Këtë të premte u zhvillua ceremonia me rastin e 30-vjetorit të krijimit të repartit të forcave speciale, RENEA në Yzberisht.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kanë nderuar me medalje drejtues dhe efektivë të kësaj trupe. Kjo duke respektuar edhe kujtimin e të rënëve në krye të detyrës.
Janë 2827 operacione që mbajnë firmën e RENEA-s, por në përballje 5 efektivë kanë humbur jetën.
“Janë përballur me keqbërësit deri në sakrificën sublime të humbjes së jetës si Luan Haxhia, Lulzim Sulollari, Arben Ujka, Elham Elezi dhe Ibrahim Basha të cilët janë memorizuar përjetësisht duke u gdhendur me gërmna të arta në altarin e Kombit,” tha kreu i policisë së shteti, Gledis Nano.
Ndërsa ministri Çuçi solli në vëmendje rezultatet e forcave speciale. “RENEA ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore në operacione me shkallë të lartë vështirësie,” tha ai.
Çuçi bëri një bilanc të aksioneve të RENEA-s të zhvilluar përgjatë këtyre viteve, ku tha se janë zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë, mesatarisht 94 operacione në vit, ose afërsisht 1 operacion çdo 4 ditë.
Forcat speciale nisën në vitin 1982, kur u krijua Batalioni 326 i Ministrisë së Brendshme. Fillimisht ky batalion pati detyra antidemonstratë.
Efektivët e përzgjedhur për të shërbyer ishin zakonisht ushtarakë profesionistë që vinin nga policia, Garda, ushtria dhe nga zhytësit e Marinës Luftarake.
Kjo në fakt do të shërbente edhe si bërthama e mëvonshme për ngritjen e RENEA-s. Në vitet 1990, do të quhej Reparti 326 dhe do të merrte detyra të reja për shkak të rritjes së kriminalitetit. Numri real i forcave RENEA mendohet të jetë rreth 200 antarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




