Gazeta Si – Një 39-vjeçar, Edmond Përdoda, i cili ishte shpallur në kërkim për bashkëpunim në vrasje, është arrestuar mëngjesin e kësaj të premteje nga forcat RENEA në Lezhë. Përdoda, në bashkëpunim me vëllanë e tij, kanë vrarë dy persona në prill të vitit 2020.
Në lidhje me këtë ngjarje ishte arrestuar fillimisht i vëllai i tij, Aleksandër Përdoda, i akuzuar për vrasjen e Kol Murranit dhe Preng Simonit.
Ndërsa Edmond Perdoda, i cili u arrestua sot ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ndihmoi të vëllanë të fshihte provat e krimit të dyfishtë dhe të mblidhte gëzhojat.
Për kapjen e tij, policia ka përdoror dron dhe menjëherë sapo e ka pikasur, i ka vënë prangat në derën e shtëpisë, e cila ishte rrethuar me një automjet blind.



Ndërkaq gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.
Në 27 prill 2020, në fshatin Lalm i Ri, Lezhë, u vranë me armë zjarri Kol Murrani dhe Preng Simoni, ku autorë të ngjarjes u identifikuan vëllezërit Aleksandër Perdoda (aktualisht në burg, i dërguar për gjykim për vrasje në rrethana cilësuese) dhe Edmond Përdoda, që u arrestuar sot nga RENEA.
Kol Murrani dhe Preng Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave.
Rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi pas debatit me vëllezërit Përdoda.
Trupat e viktimave u gjetën në pyll nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




