Njerez

Rëndësia e një bisede me një të huaj

Imagjinoni sikur të vdisni dhe të zgjoheni në një botë të përbërë vetëm nga njerëzit që mbani mend. Do të jetë një fillim i lumtur duke kaluar kohë me njerëzit tuaj, duke ndejtur me njerëz që ndoshta keni qenë larg. Por kaq! Pas disa kohësh lumturia do të venitet dhe do të filloni të ndiheni keq.
Nuk do e kuptoni por do ju mungojnë fytyrat e reja në park apo një i panjohur që të bisedoni ndërkohë që jenu ulur në një stol.
Ky skenar është parashikuar nga romancieri dhe neuroshkencëtari David Eagleman në tregimin e tij "Rrethi i miqve", të cilin ai e shkroi më shumë se një dekadë më parë dhe çuditërisht lidhet me situatën ku ne ndodhemi.
Ndërsa pandemia na ka shtyrë të takojmë sa më pak njerëz për të qenë të sigurt, mungesa e dukshme e të panjohurve ka shtyrë shumë njerëz të reflektojnë mbi rëndësinë e një bisede me dikë që nuk i di as emrin.
Ekziston një studim që tregon se bisedat dhe besimi që ne kemi me të huajt janë të rëndësishme për mirëqenien tonë dhe të atyre që hasim.
Për shembull, sjellja miqësore ndaj të huajve ka qenë e lidhur me vetëvlerësim më të lartë tek adoleshentët në Shtetet e Bashkuara.
Në Kinë, besimi i madh tek të huajt ka qenë i lidhur me një shëndet të përgjithshëm më të mirë dhe në Kanada, besimi te të huajt ka qenë gjithashtu i lidhur me mirëqenien mendore.

Imazh ilustrues

"Ne nuk e dinim rëndësinë e të huajve deri në momentin që humbëm ndërveprimin me to. Ky ndërveprim ka një ndikim të madh jo vetëm në mirëqenien tonë mendore por edhe në shëndetin tonë fizik.
Një studim i bërë para Covid-19 i botuar në vitin 2020 tregoi se izolimi rrit ndjeshëm rrezikun për vdekje të parakohshme, një rrezik që mund të rivalizojë ato të pirjes së duhanit, mbipeshës dhe pasivitetit fizik.
Izolimi erdhi dhe tani kemi frikë të flasim me njerëzit. Psikologia Laurie Santos shpjegon se tani frika është kudo dhe njerëzit kanë frikë edhe të përshëndesin dikë që pa dashje i zuri rrugën.

Imazh ilustrues

Nick Epley pedagog në Universitetin e Çikagos i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij akademike studimit të marrëdhënieve tona me të huajt. Ai zhvilloi një eksperiment, para-Covid-19, në të cilin pjesëmarrësve u tha që ose të mos flisnin me askënd, të vazhdonin si zakonisht ose të bënin bisedë me këdo që ulej pranë tyre. Ai zbuloi atë që ai e quajti një "paradoks anti-shoqëror", ku njerëzit vazhdimisht nënvlerësonin se sa do të kënaqeshin të flisnin me të huaj.
Të njejtin eksperiment ai e bëri një ditë tjetër por u kërkoi pjesëmarrësve të flisnin me këdo që ulej në stolin e tyre.
Aty ai zbuloi se sa më gjatë që njerëzit të kishin folur aq më mirë ndiheshin, edhe pse mund të prisnin të ishin më të lumtur pa folur ose mendonin se janë introvertë.
Santos thotë se shumë njerëz mund të hezitojnë për të filluar një bisedë, duke mos ditur çfarë të thonë.
"Filloni bisedën duke folur për tema aktuale dhe gjëra interesante pasi pak njerëz mund të mos përfshihen në biseda të tilla." tha Santos.
Nëse vazhdojmë të flasim vetëm me ata që njohim tashmë, ne futemi në një flluskë dhe e kemi të pamundur të dalim. Pa krijuar një rreth më të gjerë, ne nuk mund të zhvillojmë dhe sfidojmë veten tonë.

Imazh ilustrues

Gjithsesi Covid-19 nuk ka qenë vetëm negativ për këtë temë pasi në rrjetet sociale janë krijuar pafund njohje nga biseda që kanë nisur me njerëz të panjohur dhe shumë janë munduar të ndihmojnë të tjerët edhe pse nuk i njihnin. Eseistja amerikane Rebecca Solnit e ka quajtur një reagim të tillë një "karnaval dhembshurie".
"Kur njerëzit ndahen me të dashurit e tyre fillojnë dhe kuptojnë më shumë të tjerët dhe bëhen një shpatull për t'u mbështetur dhe kjo sjell gëzim në një periudhë kaosi." tha ajo.
Një studim nga "British Future" ka treguar se njerëzit janë bërë më të dhimbshëm tani gjatë pandemisë dhe kujdesen më shumë për të tjerët.
A mundet që kjo lidhje e epokës së Covid-19 midis të huajve të tejkalojë virusin? Pjesëmarrësit në studimin e "British Future" folën për një dëshirë që kjo ndjenjë të zgjasë edhe mbasi pandemia të mbarojë edhe pse studiuesit mendojnë se me kalimin e kohës gjërat do të kthehen në normalitet dhe njerëzit nuk do të jenë aq të lidhur me njëri-tjetrin.
Përtej maskës
Vendosja e një maske, jetike për të mbrojtur shëndetin e vetes dhe atyre përreth nesh, ndryshon mënyrën e krijimit të një lidhjeje. Neuroshkencëtari i Universitetit të Nju Jorkut, Jay Van Bavel thotë se truri ynë përpunon fytyrat brenda disa qindra milisekondash në momentin që shikon dikë tjetër. Në këtë periudhë relativisht të shkurtër ne arrijmë të përcaktojmë nëse mund të flasim me këtë person apo jo. Përderisa nuk jemi mësuar të shohim njerëzit me maska, kjo lloj njohjeje mund të jetë jo komode për ne.
Van Bavel sugjeron nevojën për një fushatë që tregon rëndësinë e maskave dhe që ato nuk duhet të na ndalojnë të kemi komunikim me të tjerët për aq kohë sa i'u përmbahemi rregullave.

Imazh ilustrues

Ndërsa jemi ende duke jetuar me kërcënimin e pandemisë, lidhjet shoqërore janë shumë të rëndësishme.
Psikologia Santos thotë se sot ne duhet të jemi kreativë se si ti arrijmë këto lidhje duke qëndruar gjithashtu të sigurt.
“Turmat e munguara ju bëjnë të vetmuar. Jeta e mbyllur vetëm në një rreth për një kohë të gjatë nuk ju ndihmon. Bisedoni me njerëz të rinj." përfundon ajo.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë