Jete & Stil

Rëndësia e gjumit dhe këshilla si të shpëtoni nga një gjumë i keq

Gjumi është jetik për shëndetin tonë fizik dhe mendor dhe është po aq i rëndësishëm sa janë një dietë e ekuilibruar apo ushtrimet fizike.
Lynda Shaw, neuroshkencëtare dhe psikologe tregoi se njeriu ka nevojë për shtatë deri në nëntë orë gjumë të rehatshëm ku pjesa më e madhe e njerëzve nuk i bëjnë këto orë gjumë.
“Një natë ose dy gjumë të keq nuk do t’ju dëmtojnë, por privimi afatgjatë i gjumit do të ulë cilësinë e jetës tuaj, do ju shkaktojë probleme shëndetësore, dëmton përqendrimin dhe bëhet shkak për prishjen e humorit si dhe ndikon negativisht në performancën tuaj në punë.” tha Shaw.
Gjumi është thelbësor për funksionin e trurit siç është kur ne konsolidojmë informacionin dhe kujtimet nga dita dhe përmirëson kujtesën, performancën, zgjidhjen e problemeve dhe kreativitetin.
Shaw thotë se nuk duhet ta “detyrojmë” trurin të punojë natën pasi kjo nuk është e favorshme për mirëqenien.

Imazh ilustrues

Nga ana tjetër, gjumi përmirëson të mësuarit pasi ju ndihmon të përqendroheni dhe të mbani mend inofrmacionet e reja si dhe të krijoni lidhje më të forta midis qelizave të trurit.
Kjo do të thotë që informacioni transmetohet nga një pjesë e trurit në tjetrën në mënyrë më efikase, duke përmirësuar aftësinë tuaj për të kujtuar informacionin që keni mësuar.

“Studimet kanë zbuluar se gjumi na ndihmon të ruajmë kujtimet tona më të mëdha dhe të lëmë në hije ato që kanë më pak rëndësi.” tha Shaw.
Pa bërë një gjumë të mjaftueshëm, truri ynë me siguri do ta ketë më të vështirë të bëjë dallimin midis këtyre të dyjave.
Kur flini trupi juaj dërgon më shumë oksigjen në muskujt tuaj dhe riparon çdo dëmtim të muskujve.

Këshilla për një gjumë të rehatshëm
Nëse keni vështirësi të flini gjumë, para së gjithash duhet të krijoni një orar të rregullt gjumi.
Kjo programon trurin dhe trupin për tu mësuar me një rutinë të caktuar.
Gjithashtu këshillohet që të siguroheni të relaksoheni para se të flini si për shembull të bëni një dush të ngrohtë, të lexoni si dhe të flini në një dhomë të errët, qetë dhe në një temperaturë midis 18°C dhe 24°C.
Burimi: Daily Express. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë