Rankimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe rëndësia që merr ky proces në shumë dimensione ishte tema e bashkëbisedimit të Kryeministrit Edi Rama dhe rektorëve të universiteteve publike dhe jopublike në vend, të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Rama tha se pavarësisht përparimit real, konkret, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale është e papranueshme, thjesht e papranueshme.
Për shembull, një nga pikat që përmendi Rama për një rankim më të mirë, është përmbushja e disa standarteve përsa i përket aspektit të qasjes digjitale të universiteteve, jo në procesin mësimdhënës, por në paraqitjen e tyre.
“E thënë me një fjalë, website. Në një vend që, me shumë krenari e them, së fundmi rankohet i 8-ti në Europë dhe i 19-ti në botë për shërbimet publike digjitale, besoj se është gjë e thjeshtë për t’u bërë, mjafton që ne të koordinohemi dhe të funksionojmë bashkarisht në këtë drejtim se nuk ka asnjë shkencë të jashtëzakonshme në këtë pikë.
Vetëdeklarimi i të dhënave, të matshme dhe cilësore, të dhënat nga pyetësorët, nga algoritmet përpunuese në web apo nga informacionet e mbledhura drejtpërdrejtë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me rankimin e universiteteve”, tha Rama.
Ndërkohë rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha ka deklaruar se një nga kolonat kryesore të arsimit të lartë është kërkimi shkencor.
“Kemi rënë dakord të krijojmë një grup të përbashkët pune. Kryefjala jonë është ndërkombëtarizimi dhe sfidat e arsimit të lartë në një Europë që quhet BE. Arsimi i Lartë ka dy komponentë e mëdhenj që janë mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe inovacioni. Vazhdoj të mbështes komunikimin me qeverinë për ato shqetësime dhe nevoja që ka arsimi i lartë dhe ato kërkesa që qeveria ka ndaj nesh.
Kjo është një tango që luhet. Ne nuk punojmë për veten tonë apo shoqëria na lë mënjanë. Kërkimi shkencor është një nga sfidat ku duhet të përqendrohemi dhe të rrisim kapacitetet e punës tonë. Ne jemi në atë fazën kur rivlerësojmë vetveten. Është e vërtetë që në një hark kohor 2-3 vjeçar veprimtaria ka nisur të përmirësohet. Pa kërkimin shkencor mbetemi me një kolonë. Këtu ka shumë gjëra që diskutohen”, tha Hoxha.
Ai deklaroi se procesi i anëtarësimit në BE e vë arsimin përballë sfidave dhe standardeve të tjera. Ai theksoi se në BE nuk mund të shkohet me deklarata.
Hoxha tha se Universiteti i Tiranës nuk e përdor autonominë si mbrojtje por si mundësi për t’u zhvilluar të pandikuar.
“Është elementi që na disiplinon të gjithëve. Është një proces i dyanshëm. Si rregull pa akreditim nuk ka rankim. Ne jemi në proces akreditimi. Është një proces që zgjat shumë. Kjo nuk të thotë të humbasin elementët që kanë të bëjnë me cilësinë e arsimit të lartë. Procesi i akreditimit duhet të jetë më i lehtësuar nga burokracitë, më i shpejtë në rezultatin e vet. Më pak i kushtueshëm. Është shumë para që ne na ikën nga një institucion publik në një tjetër. Unë do të thoja si kosto e procesit ashtu dhe shpejtësia duhet të jetë një nga prioritetet që ministria duhet të ketë. Kemi nevojë edhe për një vlerësim të vetvetes”, u shpreh Hoxha.
Rama tha se një tjetër element shumë i thjeshtë për të rritur rankimin është pasja e një numri të caktuar universitetesh nën një ombrellë.
“Një shembull dhe shpresoj të mos kthehet ky shembull në një arsye për të filluar një polemikë. Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë me shpejtësi në rankimin e vet, nëse ka brenda mjekësinë”.
Rama tha se gjithashtu se gjëja që “kemi parë dhe që kemi dëgjuar nga të gjitha kontaktet që kemi bërë deri më tani për ta nxitur ndërkombëtarizimin, e thashë, është që në 90% të rasteve duhet të përballemi me pyetjen “Po pse ky universitet bën gjithë këto gjëra, duke pasur një gjeografi të ngushtë dhe duke pasur një territor në të cilin është e qartë që mund të profilizohet shumë më mirë në dy-tre drejtime sesa të hapet me të gjitha”. Pse duhet të ketë juridik në të gjithë Shqipërinë? Pse duhet të ketë infermieri në të gjithë Shqipërinë?”, tha Rama.
Këtë ne duhet ta përballim sepse kështu siç është ky sistem nuk na çon larg, shtoi Rama duke thënë se kjo jo vetëm nuk na çon larg, por i bën gjithmonë e më pak tërheqëse degë e dyer të caktuara universitetesh, të cilat pastaj detyrohen të ulin komplet pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin dhe të bëjnë një kompromis fatal për cilësinë e arsimit duke thënë “Jo, një pjesë do t’i marr edhe me pesa, sepse më duhen” ose “duhet t’i marr me patjetër” e vijnë tek ne kërkesat “Ulni mesataren, ulni kërkesën se na duhen njerëz se përndryshe nuk e mbajmë dot”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



