Arsim

Rektorët takim me Manastirliun: Duhet një plan politikash për numrin e ulët të studentëve

Nga Gazeta Si- Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike kanë diskutuar ditën e sotme me Ministren e Arsimit dhe Sportit për problematikat që ka arsimi dhe krijimin e një dokumenti të ri politikash për arsimin e lartë.

Rektori i Universitetit Polis Besnik Aliaj tha gjatë takimit se një nga problemet më të mëdha që hasin universitetet sot është numri i ulët i studentëve.

“Jemi para faktit se numri i studentëve ka rënë. Se si do të përballemi me krizën demografike është një pyetje që ne duhet t’i japim përgjigje me një strategji të madhe”, tha Aliaj.

Menjëherë fjalën e mori rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata i cili tha se është plotësisht dakord se duhet të krijohet një plan politikash se si do shkojë arsimi deri në vitin 2029.

“Mbi bazën e këtij plani dhe këtyre politikave që do ti nxjerrim ne si përfaqësues të universiteteve duhet të fokusohet gjithë puna e arsimit të lartë. Duhet të vendosim prioritete”, tha Gjata.

Një tjetër problematikë që u parashtrua ishte edhe mungesa e padagogëve për programe të ndryshme.

“Universitetet tona janë bërë për mbijetesë. Kemi universitete që kanë larmi programesh studimi por kanë mungesë pedagogësh për të dhënë mësim. Ne duhet të bëjmë dicka për këtë. Ju si ministri mund të bëni më shumë për të mbajtur hapur programe që kanë vështirë për të gjetur mësues”, tha gjatë takimit Et’hem Ruka, rektori i universitet privat “Luarasi”.

Gjatë takimit me rektorët u vu theksi tek thellimi i procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe krijimi i një oferte më tërheqëse për studentët vendas por edhe ata të huaj.

“Sigurisht që sfida më e madhe përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë dhe është ndërkombëtarizimi, afrimi sa më shumë i universiteteve tona me universitetet e huaja, për të ndërtuar programe të përbashkëta, për të patur diploma dyfishe, për të bërë ofertën tonë të arsimit të lartë sa më shumë atraktive, jo vetëm për studentët tanë, por gjithashtu edhe për studentë të huaj”, tha Ministrja Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë