Sport

Rekordet unike dhe perfeksioni, kur sporti kalon çdo limit

Rekordet vendosen për t’u thyer dhe shpesh ndodh që shumë prej tyre zhduken thellë në kujtime, ndërsa disa rekorde mbeten të skalitur fort në historinë e sportit. Janë ato rekorde që më parë mendoheshin të paarritshëm, por limitet kalohen dhe një herë të vetme një person i vetëm është vetë perfeksioni. Rezultatet janë të paharrueshëm, pasi thyejnë edhe ligjet e shkencës.

10-a absolute

“Nëna” e këtyre lloj rekordesh në sport na kthen 42 vite më pas, në Lojërat Olimpike të Monrealit, kur Nadia Komaneçi mahniste botën me mrekullitë e saj në paralelet asimetrike. Ajo u bë gjimnastja e pare në botë që mori vlerësimin absolut me notën 10 në një garë olimpike. Vlerësimi maksimal, perfeksioni, përtej të cilit nuk ka asgjë. Në ato lojëra, 14-vjeçarja rumune garoi edhe 6 herë të tjera, duke marrë medaljen e artë. Në fakt, 10-ën e parë e kishte marrë katër muaj më parë në “American Cup”, në Nju jork, por ajo që bëri në Montreal e futi në memorien e gjithë botës dhe mbetet ende një legjendë, një ikonë e gjimnastikës, më e famshmja e të gjitha kohërave, edhe pse palmaresi i saj nuk është shumë i pasur, për shembull, aq sa i ukrainases Larisa Latinina.

Nadia Komaneçi, gjimnastja rumune që është vlerësuar me maksimumin e pikëve

Rekordet e “Mbretëreshës”

Kalojmë tek atletika, ku rekordet janë esenca e këtij sporti. Të gjithë e konsiderojnë “Mbretëresha” e sportive, sepse në atletikë jetohet me numrat dhe medaljet. Në analet e historisë së atletikës spikasin koha e parë poshtë 10 sekondave në 100 metra nga amerikani Xhim Hines, i cili regjistroi kohën 9 sekonda e 95 të qindtat në Lojërat e Meksiokos në vitin 1968,  kërcimi i parë në 6 metra i “carit” ukrainas Sergej Bubka në kërcimin me shkop, më 13 korrik të 1985-ës në Paris, si dhe 2 metrat e kaluara në kërcimin së larti nga gjermanja Rosmari Akerman më 26 gusht 1977. Po aashtu, spikat “moment magjik” i Sër Roxher Banister më 6 maj 1954, në pistën me dhe të “Oxford University”. Stedenti i mjekësisë, që kishte mbetur jashtë podit në 1500 metra dy vjet më parë në Helsinki, kaloi atë që edhe shkenca në atë kohë e konsideronte të pakalueshme. Ai vrapoi 1609,35 metra për 3 minuta, 59 sekonda dhe 4 të qindtat, duke u bërë atleti i parë që zbriste poshtë 4 minutave, duke thyer një tabu, por vetëm 46 ditë më pas rekordi i tij u thye nga australiani Xhon Landi, kurse një vit më pas shumë atletë regjistruan kohë poshtë 4 minutave.

Xhim Hines, atleti i parë që i bëri 100 metrat poshtë 10 sekondave

100 pikë

Askush ende nuk ka arritur të imitojë Vilt Çambërlein, një nga basketbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave një makinë e frikshme koshash, që mban disa rekorde, por njëri është i rrallë dhe që reziston prej më shumë se një gjysmë shekulli dhe kosnderohet i paarritshëm. Ishte data 2 mars 1962, kur në Hershei (Pensilvani) Çambërlein shënoi 100 pikë në ndeshjen, ku skuadra e tij, Filadelfia Uarriors, mundi 169-147 Nju Jork Kniks. Dhe të mendosh që në atë kohë nuk ishte ende gjuatjtja për 3 pikë. Pikshënuesi më i mirë pas Çambërlein në një ndeshje është i madhi Kobi Brajant, i cili është ndalur në kuotën e 81 pikëve në një ndeshje. Kuptohet qërtë se sa peshon ai rekord. Ende nuk ka lindur një Çambërlein i ri.

Vilt Çambërlein, basketbollisti i vetëm që ka shënuar 100 pikë në një ndeshje

Femra e parë

Mbeten ndërkohë të pathyeshëm disa rekorde, thjesht se janë unikë. Si ai i Roberta Gib, 25-vjeçarja nga  Masaçusets, që më 19 prill 1966 vrapoi në mënyrë klandestine Maratonën e Bostonit, duke u bërë e para femër që ka shkuar deri në fund të 42 kilometrave e 195 metrave. Asaj ia kishin mohuar regjistrimin për të vrapuar në këtë maratonë. “Vrapimi është vetëm për meshkujt, pasi femrat nuk janë në gjendje fizike të vrapojnë në një maratonë”, - i kishin thënë organizatorët e maratonës. Ajo nuk u demoralizua, veshi uniformën e të vëllait, u fsheh në një shkurre para se të bëhej nisja dhe më pas u përzje me 540 pjesëmarrësit në garë. Vuajti jashtëzakonisht shumë dhe shkoi në finish me këmbët e gjakosura nga këpucët e papërshtatshme. Por ia doli. Nuk është një rekord në kuptimin e parë të fjalës, por nëse ky nuk është një gur në historinë e sporteve…

Roberta Gib, femra e parë që i shkoi deri në fund Maratonës së Bostonit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë