Arsim

Regjistrimet në ciklin 9-vjeçar, më pak nxënës se viti i shkuar

Numri i nxënësve që regjistrohen në ciklin e ulët po tkurret vit pas viti. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se regjistrimet në shkollë për grup-moshën e arsimit 9-vjeçar (5-14 vjeç) ka pësuar rënie. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 në ciklin e arsimit bazë janë regjistruar 132.709 fëmijë, ndërsa për vitin shkollor 2020-2021 janë regjistruar 127.958 nxënës me rënie me 3.7%.

Sociologia Masida Simo i tha Gazetasi.al se nga shifrat që na jep INSTAT kuptojmë që të gjitha nivelet e arsimit, duke nisur nga niveli 0 (arsimi parashkollor – çerdhe/kopshte) deri tek niveli 8 (pasuniversitar) ka një rënie të numrit të regjistrimeve. Sipas saj kjo është një tendencë e cila është vënë re minimalisht 10 vite më parë.
“Dy faktorët kryesor për këtë rënie janë emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e numrit të lindjeve. Mund të mendojmë edhe faktin se duke qenë se arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm, mund të sjellë uljen e regjistrimeve. Megjithatë ky fenomen ka prekur në tërësi arsimin edhe atë të detyrueshëm. Kjo është pasuar edhe me uljen e numrit të stafit shkollor,” i tha Simo Gazetasi.al.
Të dhënat tregojnë se nxënësit e arsimit para universitar kanë një ulje të vazhdueshme, ulje e cila vitin e fundit arrin 13,0 %, krahasuar me nxënësit e arsimit para universitari të vitit 2016-17.
Simo shpjegon se në vitin shkollor 2016-2017 në ciklin 9 vjeçar të lartë kemi pasur 10.4 nxënës për mësues dhe 8.9 nxënës për një mësues në vitin shkollor 2020-2021.
“Pasojat që do sjellë ky fenomen do të lidhet me tregun e punës, ku do të mungojnë profesionistët në fusha të caktuara. Madje kjo edhe me mungesën e orientimit të karrierës bëhet akoma dhe më e vështirë,” shpjegon më tej Simo.
Të dhënat më të hershme tregojnë se sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 35% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve edhe shkollave, një tjetër problem për t’u zgjidhur në shoqërinë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë