Nga Gazeta Si- Numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsimin zyrtar në vitin shkollor 2022-2023 shënoi një ulje prej 4.1% krahasuar me një vit më parë.
INSTAT raporton se, në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me uljen më të madhe për arsimin e mesëm, rreth 7% më pak.
Në arsimin parauniversitar janë regjistruar 5% më pak, në atë parashkollor dhe 9-vjeçar 4% më pak, krahasuar me vitin shkollor 2021-22.

Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (85.7%).
Në vitin akademik 2022-23, numri i studentëve që vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë rezulton 2% më pak se një vit më parë dhe arriti 121.352.
Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik përbëjnë 75% të numrit total të studentëve.
Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2022-23, marrin pjesë 71.248 studente femra, ose 59% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.
Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, u regjistruan 71.192 studentë duke shënuar një ulje prej 2.3%, krahasuar me 2021-22.

Në vitin akademik 2022-23, studentët vazhdojnë të preferojnë degët e biznesit dhe juridikut, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Ndërsa fusha më pak e preferuar është ajo e bujqësisë, pyjtarisë, peshkim dhe veterinari ku janë të regjistruar vetëm 2.6% e numrit gjithsej të studentëve, por ka pasur një rritje të interesit. Nga një vit më parë numri i studentëve në këtë degë është rritur me 12.2%. Edhe “Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit” ka shtim të numrit të studentëve me 10%.
Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, uljen më të madhe të numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë e kanë fushat “Arte dhe shkenca humane” me 16,9% dhe “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” me 11%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



