Gazeta “Si”- Duke marrë shkas nga ngjarjet e përsëritura dhe rritja e rasteve të dhunës seksuale ndaj të miturve, me kërkesë të shoqatave në mbrojtje të fëmijëve Parlamenti miratoi ligjin për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Ligji tashmë është dekretuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe është botuar në fletoren Zyrtare. Sipas këtij ligji të gjithë personat që kanë kryer dënime të formës së prerë për krime dhe ngacmim seksual ndaj të miturve do të përfshihen në këtë regjistër, dhe heqja e të dhënave të tyre bëhet vetëm pas vdekjes.
Ky ligj do të hyjnë në fuqi pas 6 muaj nga botimi në fletorë zyrtare. Duke ju lënë kohë institucioneve përgjegjëse që të bëjnë të mundur hartimin dhe plotësimin e të dhënave të këtij regjistri me autorët që kanë kryer krime seksuale ndaj të miturve.
Ligji ngarkon Ministrin e Drejtësisë, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) sepse ky regjistër do jetë edhe në portalin e-Albania, Ministrin i Brendshëm dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale, që brenda 6 muajve , të vënë në funksion Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale.
Ligji përcakton gjithashtu se cdo institucion publik apo privat, përpara se të punësojë një person ka detyrimin të kërkojë verifikimin tek autoritetet nëse kandidati rezulton në këtë Regjistër, kur ka të bëj me punë që kanë lidhje me fëmijët.
Detyrimin për kontroll e kanë të gjitha punët si: mësues dhe punonjës në sistemin arsimor në çdo nivel të sistemit parauniversitar; punonjës, infermierë, mjekë në sistemin shëndetësor; edukatorë në sistemin parashkollor; punonjësit bashkiak të qendrave kulturore apo sportive, trajnerët e sporteve të ndryshme, predikues në institucionet fetare, që kanë të bëjnë me fëmijë apo shërbimet ndaj tyre si dhe punonjës për organizatat joqeveritare që punojnë në mbrojtje për fëmijët si dhe ata që punojnë me personat me aftësi të kufizuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



