Art dhe Kulture

Regjisorët ukrainas bëjnë thirrje për solidaritet dhe paralajmërojnë për një rrezik global

Një letër e hapur e nënshkruar nga regjisorët më autoritativë ukrainas është shpërndarë dje pas sulmit të ushtrisë ruse në vendin e tyre.

Oleh Sentsov, Valentyn Vasyanovych, Maryna Er Gorbach, Anna Machukh, Nataliia Vorozhbyt, Iryna Tsilyk, Nariman Aliev janë kineastët që po i kërkojnë botës përmes postimeve të ndryshme të mos heshtin për ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë.

“Rusia po bën një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe kujtdo që e kupton se lufta e së nesërmes mund të jetë mbi ne. Ne kemi folur për luftën në Ukrainën lindore në filmat tanë për 8 vjet. I keni parë në festivale. Por ky nuk është një film, por realiteti ynë. Dhe sot ky realitet është përhapur në të gjithë vendin tonë pa përjashtim”, pohon grupi në letrën e lëshuar për mediat ndërkombëtare.

“Regjisorët ukrainas ju nxisin të mos heshtni, të mos largoheni dhe të ndërmerrni veprime që mund ta ndihmojnë Ukrainën të rifitojë paqen”.

Regjisorët sugjerojnë që komuniteti ndërkombëtar të dëgjojë nevojat e politikanëve ukrainas, të zbatojë sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe, mbi të gjitha, të bëjë një luftë informacioni.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni tani për Ukrainën është të lexoni dhe shpërndani informacione të verifikuara për atë që po ndodh”, thanë ata, duke bashkangjitur një listë me informacione operacionale dhe të vërteta rreth luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Kur flas për mbështetje, nuk kam parasysh vetëm sanksione apo veprime të tjera nga udhëheqësit e aleatëve tanë. Ne gjithashtu kemi nevojë për mbështetje informacioni. Është e rëndësishme të kuptohet se Putini ka ndërtuar një mbretëri të pasqyrave të rreme në të cilën e bardha quhet e zezë dhe anasjelltas”, u shpreh regjisori Tsilyk.

Nataliya Vorozhbyt tregoi aktivitetet e familjes së saj, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, dhe mosbesimin e saj teksa tanket ruse iu afruan kryeqytetit Kiev. “Ne sollëm karrige, qirinj dhe ujë në bodrum. E lejova vajzën time të shante sepse kishte frikë. Ish-burri im shkoi në ushtri, – ka shkruar ajo. – Ne jetojmë në qendër të Europës, në shekullin e 21-të, në Ukrainë. Fqinjët tanë më të afërt janë Polonia, Hungaria, Sllovakia, vendet baltike, Rumania. Pranë Gjermanisë, Francës, Italisë etj. mund të shkojmë me makinë. Kjo nuk është vetëm lufta jonë”.

“Kjo do të prekë të gjithë europianët. Mund të shkatërrojë botën tonë. Pjesëmarrja juaj, mbështetja dhe ndihma juaj janë shumë të nevojshme tani. Si dhe fjalimet tuaja, protestat, paratë, armët, sanksionet. Ftoj botën të bashkohet kundër Rusisë së Putinit”, përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë