Drejtësia

Refuzohet gjykimi i shkurtuar, ish-polici që vrau kolegun në komisariat rrezikon burg përjetë

Gazeta Si - Ish-punonjësi i policisë Ludian Zaimi që vrau kolegun e tij Çaush Saliasi në komisariatin nr 3 në Tiranë, rrezikon burg përjetë.

Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Zaimit për gjykim të shkurtuar në procesin ku ai akuzohet.

Togat e zeza pranuan gjykimin e dosjes së prokurorisë, në të cilën citohen dëshmi të kolegëve të viktimës, efektivë të komisariatit ku ndodhi ngjarja, të cilët kanë thënë se autori e ka paramenduar krimin madje ka pasur plan të arratisej pasi të ekzekutonte kolegun.

Gjykata vlerësoi të drejtë kualifikimin e veprës penale nga prokuroria për "vrasje me dashje ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj".

Trupi gjykues nuk pranoi gjykimin e shkurtuar duke vendosur të vazhdojë procesin më tej me procedurë të zakonshme, për shkak të veprës penale të rëndë që ka kryer i pandehuri.

Në dosjen hetimore, thuhet se me vlerë është dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar më përpara vrasjen.

“Makina e autorit qëndronte e ndezur në derën e komisariatit, e gatshme për t’u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pak kohë para veprimit të tij, kishte dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve të tij”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokuroria pretendon më tej, ndryshe nga sa këmbënguli mbrojtja, referuar aktit të sekspertimit psikiatriko-ligjor, se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.

Vepra penale për të cilën akuzohet ish-polici, ka një marzh dënimi  jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Pak minuta para krimit, mësohet autori i ka shkruar një personi të dënuar një mesazh ku i lë amanet prindërit.

Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një shtetasi me iniciale D.C., të cilit i lë amanet personin e afërm me iniciale "D". 

25-vjeçari, sipas prokurorisë e ka vrarë pikërisht Çaush Saliasin për shkak të marrëdhënieve gjatë ushtrimit të detyrës në komisariatin 3, ku pretendonte se bullizohej.

Në dosje thuhet se Zaimi nuk e ka ngritur këtë shqetësim tek eprorët apo ndonjë i afërm i familjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë