Mendim

Refugjatët, “patatja e nxehtë” e Ballkanit

Tani që Ballkani është kthyer në shtegun e ri të refugjatëve për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Europian, emigracioni rrezikon të kthehet në një debat të nxehtë në rajon.

Edhe pse Shqipëria miratoi paktin e Kombeve të Bashkuara mbi emigracionin së bashku me 190 shtete të tjera anëtare, Bullgaria vendosi papritur më 12 nëntor t’i thoshte “jo” kësaj marrëveshjeje. Ajo i është bashkuar fqinjëve si Kroacia dhe Rumania, duke refuzuar të ndjekë direktivat e BE-së dhe të OKB-së për refugjatët.

Vendet e rajonit janë kthyer në faktor kyç për zbatimin këtij pakti për shkak të “rrugës ballkanike” që po ndjekin emigrantët. Në përpjekje për të kontrolluar emigracionin e paligjshëm Shqipëria nënshkroi një muaj më parë një marrëveshjeje me Agjencinë Kufitare Europiane, Frontex, e cila ka filluar patrullimin e kufijve të vendit tonë. Por kombet ballkanike vazhdojnë të kenë qasje të ndryshme ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, ndërkohë që perëndimi po imponon një sërë rregullash për sigurinë dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Bullgaria është bërë shteti më i fundit i BE-së që deklaroi zyrtarisht se nuk do të mbështesë paktin e OKB-së mbi migracionin, i cili do të nënshkruhet muajin e ardhshëm në Marok, duke deklaruar se vinte në rrezik interesin kombëtar. Njoftimi vjen pasi katër vende të tjera të BE-së, Hungaria, Austria, Polonia dhe Kroacia, njoftuan po ashtu se nuk do të nënshkruajnë dokumentin e OKB-së në Marok, më 11 dhe 12 dhjetor.

Migrantët presin që të kalojnë kufirin përpara një gardhit të ngritur nga autoritetet maqedonase në anën greke të kufirit midis Greqisë dhe Maqedonisë, afër fshatit grek Idomeni.

Pakti Global për migracionin e sigurt, të rregullt dhe të kontrolluar, i cili nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm, u finalizua nën kujdesin e OKB-së në korrik. Marrëveshja trajton çështje të tilla si mbrojtjen e emigrantëve, integrimin e tyre në vende të reja dhe kthimin e tyre në shtetet e origjinës, por pakti nuk përcakton asnjë numër të detyrueshëm të emigrantëve që duhet të pranojnë shtetet që e firmosin.

“Bullgaria nuk do të nënshkruajë Paktin Global të OKB-së për Emigracioninn sepse rrezikon interesin kombëtar”, tha kreu i grupit parlamentar të partisë GERB një ditë pasi ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva njoftoi se vendimi duhet ti lihet parlamenti. “Duke qenë se disa shtete anëtare të BE-së, kanë shprehur mosmarrëveshje të tilla, unioni nuk mund ta zbatojë konventën e OKB”, tha ajo.

Policia kufitare bullgare njoftoi të dielën kufizimin përkohshëm të hyrjes së emigrantëve në një zonë kufitare përgjatë lumit Maritsa në kufirin bullgaro-grek pas rritjes se kalimeve të paligjshme në zonë.

Emigracioni ka ngjallur shumë debate edhe në Kroaci, pasi Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç pati një përplasje të ashpër me qeverinë, duke u detyruar të tërhiqej nga pjesëmarrja në samitin e dhjetorit. “Mendova se Marrëveshja e Marrakeshit do të rregullonte një pjesë të këtyre çështjeve dhe në gusht i dërgova një mesazh Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, se do të shkoj në Marrakesh,” tha Grabar Kitaroviç në fillim të nëntorit. Ajo fajësoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Çështjeve Europiane për mos informimin e duhur të publikut për çështjen në fjalë.

Policia kroate tha në fund të tetorit se lajmet e rreme nga vendet Ballkanit se Zagrebi do të hapte kufijtë, kishin çuar në mbledhjen e qindra emigrantëve në vendkalimet kufitare në Serbi dhe Bosnje, të cilët shpresonin të hynin në Kroaci.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sarec, tha më 5 nëntor se as ai nuk do të marrë pjesë në konferencën e Marokut. Në Slloveni, kritikat më të ashpra për paktin e OKB-së kanë ardhur nga Partia Demokratike, e udhëhequr nga ish-kryeministri Janez Jansa. Të martën e kaluar, Jansa i kërkoi parlamentit të mbante një seancë të posaçme mbi emigracionin dhe Deklaratën e Marrakechit.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi, nga ana tjetër, tha për BIRN se mbështeste paktin e OKB-së. Ajo theksoi se ishte marrëveshja e parë e Kombeve të Bashkuara për miratimin e një qasjeje të përbashkët për emigracionin dhe të gjitha dimensionet e tij. Podgorica e quajti marrëveshjen një hap përpara në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së mëtejshme të të drejtave të emigrantëve. “Mali i Zi mbështet marrëveshjen globale që synon të bëjë përparim në këtë segment, duke marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e promovuara brenda Kombeve të Bashkuara”, shtoi ministria.

Së bashku me Shqipërinë, edhe Bosnja ka nënshkruar tashmë dokumentin. Ndërkohë qeveria maqedonase dhe ajo serbe nuk kanë dalë ende me një qëndrim zyrtar për firmosjen ose jo të këtij pakti.

Megjithëse nuk qëndron në shtegun e ri ballkanik, edhe Rumania ka përjetuar një rritje të ndjeshme në kalimet kufitare nga grupet e emigrantëve dhe refugjatëve, veçanërisht pasi Hungaria ngriti një gardh në kufirin e saj me Serbinë. Në mesin e vitit 2017, disa anije me refugjatë kurdë, refugjatë sirianë, por edhe disa iranianë, u kapën në Detin e Zi në rrugën e tyre drejt porteve rumune. Në vitin 2015, Rumania votoi së bashku me Hungarinë dhe Sllovakinë kundër një plani të BE-së për të shpërndarë refugjatët nëpër vendet anëtare.

Por Donald Trump ishte i pari lider që doli kundër një pakti të përbashkët për refugjatër vitin e kaluar. Hungaria bëri të njëjtën gjë. Në korrik dhe Austria, e cila mban presidencën e këshillit të BE, njoftoi në fund të tetorit se nuk do ta nënshkruajë. OKB-ja e ka quajtur lëvizjen e Austrisë dhe Hungarisë “të çuditshme dhe të gabuar”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 258 milionë njerëz në mbarë botën mund të klasifikohen si emigrantë, numër i cili pritet të rritet në vitet e ardhshme. Ndryshe nga refugjatët, të cilëve u ofrohen mbrojtje sipas ligjit ndërkombëtar, emigrantët shpesh e gjejnë veten pa të drejta ligjore në vendet ku shkojnë për një jetë më mirë.

Të paktën 60,000 emigrantë kanë vdekur që nga viti 2000 gjatë udhëtimeve në det të hapur, apo nëpër zona të papërshtatshme. Të tjerë kanë humbur jetën ndërkohë që mbahen në paraburgim ose në rrethana të tjera. Negociatorët e marrëveshjes thonë se u nxitën nga nevoja për të mbrojtur emigrantët dhe refugjatët, të cilët shpesh demonizohen dhe sulmohen.

Paketa kompakte erdhi pas krizës së vitit 2015, e cila kapi të papërgatitura vendet europiane, ndërkohë që luftonin për t’u përballur me një numër të madh refugjatësh që hynin në kontinent. Edhe pse numri i të sapo ardhurve ka rënë ndjeshëm, debati rreth emigrimit është rritur në Europë, duke rrezikuar të zhvendoset tanimë edhe në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë