Rend dhe Ligj

“Shfajësimet” e Arta Markut…

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi sot intervistat për tre kandidatët për Prokurorinë e Përgjithshme. Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsjan Çela janë kandidatët që synojnë të drejtojnë Prokurorinë e Përgjithshme. E para për t’u intervistuar ishte prokurorja e përkohshme në detyrë, Arta Marku e cila për rreth një orë bëri një ekspoze të objektivave të saj nëse arrin të zgjidhet me mandat të plotë dhe jo si e përkohshme dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të anëarëve të KLP-së dhe të përfaqësuesit ndërkombëtar.

Kryeprokurorja aktuale e Përkohshme, Arta Marku, ka deklaruar se këto dy vite ka punuar në një terren të vështirë, për shkak edhe të mungesës së hallkave në sistemin e drejtësisë.

“Ka qenë një periudhë e vështirë për shkak të reformës në zhvillime  sipër, për shkak të mungesës së institucioneve kushtetuese. Pritshmëritë e publikut kanë qenë të larta. Për shkak të kompetencave të kufizuara unë nuk kam arritur të realizoj pritshmëritë, sepse hetimi është jashtë kompetencave të prokurorit të përgjithshëm. Askush nuk është kujdesur që të sqarojë se roli i prokurorit ka ndryshuar dhe nuk është më prokurori i plotfuqishëm, është një prokuror me një rol simbolik dhe një rol të munguar në hetimin e çështjeve konkrete. Këtu nuk i kam realizuar pritshmëritë, por jo për shkak të vullnetit dhe aftësisë time, port për shkak të reformës dhe kompetencave. Edhe sot mungon Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ka qenë një terren aspak i lehtë për të punuar. Mungojnë disa nga hallkat e sistemit”, u shpreh Marku.

Por pavarësisht kësaj, Marku tha se gjatë karrierës së saj ka pasur në hetim çështje të rëndësishme. “Gjatë gjithë karrierës sime jam marrë me hetime të veprave penale të ndryshme. Kam pasur çështje që i kam përfaqësuar edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe kanë përfunduar me sukses. Jam marrë kryesisht me veprat kundër korrupsionit. Jam angazhuar në luftën kundër pastrimit të parave. Kam marrë masat për krijimin dhe funksionimin e KED”, tha ajo. Arta Marku vuri theksin edhe te roli i kryeprokurorit në sistem, duke e cilësuar ‘si simbolik dhe jo rol në hetime konkrete’. Ajo tha se “thelbi i vizionit tim është prokuror i pavarur, por i përgjegjshëm”.

Ndërsa shpalli shtatë pikat e platformës që ajo mendon të realizojë nëse zgjidhet. “Fuqizim i drejtorisë gjyqësore në prokurorinë e përgjithshme pasi aty do jetë puna më e madhe pas funksionimit të dy gjykatave, kushtetuese dhe e lartë. Për të bërë të mundur një punë të suksesshme duhet shtuar numri i prokurorëve në prokurorinë e përgjithshme; Forcimi i sektorit të dekriminalizimit që funksionin me 1 prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore; Spastrimi i administratës nga personat me probleme, një kompetencë që prokurori i përgjithshëm e ka me ligj; Do rregullohen me udhëzime të përgjithshme fushat e pambuluara; Realizimi një udhëzimi për veprimtarinë e policisë gjyqësore; Forcim të etikës në administratë. Kjo nxit besimin e publiku dhe si prioritet edhe trajnimet e policisë gjyqësore dhe administratës”, ishin synimet e Markut.

Takimi me Edi Ramën dhe paanshmëria politike

Pas kësaj ekspozoje, radha i erdhi përballjes me pyetjet e anëtarëve të KLP-së. Pyetjet më me “spec” ishin të anëtares Nurihan Seiti, e cila kërkoi të dinte mbi takimet që ka pasur me kryeministrin Edi Rama në kohën kur opozita protesta dhe se më pas nëse ajo ndjehej si e pavarur në vendimet e saj, apo rezulton se ka mbështetje gjatë detyrës që ka ushtruar. Kryeprokurorja u shpreh se me shefin e qeverisë ka pasur disa takime, por në kohë që opozita protestonte me Ramën është takuar për situatën emergjente që ajo tha ku ndodhej vendi.

“Takim me kryeministrin nuk kam bërë vetëm një, por disa. Kryeministri drejton disa komisione ku unë jam pjesë. Është e vërtetë, s’ka pasur një takim. Por ju i referoheshit një takimi të fundit që është bërë kur opozita ishte në protesta dhe pati shumë probleme, disa degjeneruan në dhunë. dhe kjo ka qenë arsyeja jo vetëm me mua, por edhe me drejtorin e SHISH, ministrin e Brendshëm, drejtuesit që ishin aktorë që trajtonin çështjet që lindnin nga dhuna e ushtruar në këto protesta prandaj nuk ka qenë takim raportues se s’ka një marrëdhënie të tillë mes ekzekutivit dhe prokurorisë ka qenë një takim pune për shkak të situatës emergjente që po kalonte vendi dhe ne të gjithë e kemi parë e ndjekur nga afër”, tha Marku. Ndërsa sa i takon nëse ka ajo mbështetje politike, Marku hodhi poshtë atë, duke theksuar se e ka treguar me anë të veprimeve të saj, duke përmendur këtu rastin Kajmaku. “Kam punuar në kushtet e një presioni të madh politik dhe mediatik, e kompetenca mjaft të kufizuar dhe me kufizim të kompetencave. Kam dëshmuar mjaftueshëm se nuk kam varësi nga politika. Më shumë se një rast kam vërtetuar të kundërtën, më duhet të përmend rastin e një vendimi për kryetarin e bashkisë së Vorës, nuk është një tregues i vogël, aq më tepër se unë isha një periudhë kandidimi dhe zgjedhjeje, kam bërë detyrën ashtu si e mendoj. Kam pasur mbështetjen e tyre njerëzve që ndajnë vlera të larta morale si mua, kam pasur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe jo politike”, theksoi Marku. Sa i përket rastit që mos apelimit të një çështje nga ana prokurorit ku shteti humbi 25 milionë dollarë amerikanë, kryeprokurorja theksoi se është vënë në dijeni nga media dhe se vetë nuk kishte se çfarë të bënte. Përfaqësuesja e OPDAT bëri një pyetje edhe në emër të EURALIUS mbi faktin nëse e ka monitoruar udhëzimet e nxjerra dhe si janë zbatuar nga prokurorët. “Prokurori i Përgjithshëm nuk ka pushtetin që të ndikojë të prokurorët individualisht për mënyrën se si zbatohen këto udhëzime. Realisht nuk kam pushtet për të ndërhyrë. Aq më tepër që ne nuk kemi edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për të ndërhyrë. Pra e gjejmë të pamundur për të ndërhyrë”, theksoi Marku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë