Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në aktivitetin “Për ty natyrë”, ku po diskutohet për prioritetet e mjedisit, biodiversitetit dhe pyjeve, të cilat pritet të hyjnë në një fazë të re përmes modelit unik të administrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Rama tha se po punohet për një proces reformimi në këtë sektor.
“Mënyra se si shihen, trajtohen dhe promovohen zonat e mbrojtura është një pjesë strategjike e gjithë këtij kompleksi që lidhet me natyrën që na rrethon. Duke kthyer kokën pas, padyshim ka shumë arsye për të qenë krenarë se ku jemi sot. Një dekadë më parë na u desh të bënim dy ndërhyrje shumë radikale për të siguruar marrjen e një kthese sepse gjuetia dhe prerja e pyjeve e paligjshme ishin bërë plagë reale”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, duke theksuar se sot ka një përmirësim të jashtëzakonshëm në aspektin e ripërtëritjes së pyjeve dhe faunës në Shqipëri.
Po ashtu kryeministri theksoi edhe nevojën për zgjerimin e kapaciteteve të fidanishteve. Në këtë drejtim, Rama tha se do të krijojnë një fond, ku të gjithë ndërtuesit që ndërtojnë të vet kanë detyrimin të kontribuojnë.
“Një tjetër domosdoshmëri që e ka sjellë kjo kohë është domosdoshmëria për të zgjeruar kapacitetin e fidanishteve publike, duke bashkëpunuar me bashkitë, por edhe duke mbështetur agjencinë e re kombëtare të zinave të mbrojtura të pyjeve, për të krijuar fondin e vet dhe rrjetin e vet të fidanishteve. Në këtë drejtim kemi ndëhyrë edhe ligjërisht për të sjellë një risi që sapo ka hyrë në fuqi me detyrimin e atyre që ndërtojnë që sipas metrave katrorë që ndërtojnë të kontribuojnë për këtë fond të gjelbër. Një tjetër element i domosdoshëm është fuqizimi me teknologji edhe në aspektin e prodhimit të fidanëve. Ka sot mundësi të reja në këtë drejtim dhe plani i ministrisë së Mjedisit është që t’i shfrytëzojmë këto mundësi, edhe mundësinë e pamatë të vënies në shfrytëzim të AI. “, tha Rama.
Rama përmendi edhe ndotjen dhe ndërtimet e paligjshme, që kanë çuar në krime mjedisore. Megjithatë sipas tij, ato janë ulur ndjeshëm vitet e fundit.
“Ne me ministrin e Mjedisit, me ekipin, jemi angazhuar në një proces reformimi të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe natyrës në tërësi”, deklaroi Rama duke shtuar se duhen ristrukturuar Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe ajo e Pyjeve, në një të vetme.
“Duhet një agjenci që të merret 360 gradë me zonat e mbrojtura dhe pyjet. Po angazhojmë burime të reja financiare, për të futur edhe teknologjinë, me pyllëzimet me dronë. Vitin që vjen do të rrisim financimet dhe intensitetin”, tha Rama, pa harruar krijimin e rrjetit të fidanishteve.
“Në këto vite që kemi përpara, që përkojnë me momentin historik të përpjekjes për anëtarësim në BE, fokusi te mjedisi, pyjet dhe menaxhimi i tyre, te zonat e mbrojtura, fuqizimi i një ekonomie të bazuar tek natyra, do të jetë shumë herë më i madh se sa deri sot”, përfundoi numri një i kabinetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



