Shqipëria ka bërë hapa pas në pesë vitet e fundit sa i përket mirëqeverisjes në drejtim të reformave strukturore ekonomiko-sociale. Vlerësimi jepet në raportin e tranzicionit 2021-2022 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
BERZh thotë se në periudhën nga 2016-ta deri në 2021, qeverisja në drejtim të reformave strukturore ekonomike, sociale e politike në Shqipëri u përkeqësua. Në 2016-n është ndërmarrë reforma e fundit strukturore në vend, ajo në drejtësi.
Para saj, u ndërmor reforma administrativo-territoriale, që reduktoi numrin e njësive vendore nga mbi 300 që ishin në 61 bashki, reforma në arsim, reforma e pensioneve dhe ajo në energjitikë.
“Përkeqësimi kryesisht reflekton rënien graduale të indikatorëve që masin efektivitetin e gjykata, informalitetin dhe perceptimin e korrupsionit”, thotë BERZh në raportin e vet.
Në të njëjtë listë me Shqipërinë sa i përket përkeqësimit në reformat strukturore ndodhet edhe Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Raporti vëren përkeqësim edhe në Poloni, por thotë se arsyeja në këtë vend lidhet me cenimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria vlerësohet me përmirësim të moderuar në drejtim të përshtatjes së legjislacionit dhe rregulloreve kundër pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe forcimin e mbrojtjes së privatësisë dhe të drejtave të autorësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.