Reforma territoriale duket se do të jetë prioriteti i Partisë Demokratike për javët e muajt në vijim me synimin që në dhjetor të ketë gati një draft ligjor për ta diskutuar më pas atë me socialistët me shpresën e miratimit si afat fundor brenda muajit shkurt të vitit të ardhshëm.
Afatet e vendosura, sipas burime të GazetaSi.al lidhen me periudhën zgjedhore të parashikuara nga Kodi, që është mes 15 prillit dhe 15 majit dhe synimin e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme vendore në këtë periudhë zgjedhore.
Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja se përse kreu i PD-së, Lulzim Basha ngarkoi deputetët dhe zyrtarët e tjerë të partisë me detyrën “urgjente” që të zbresin në bazë dhe të konsulton me qytetarët për ndarjen e re administrative e territoriale.
“Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën territoriale. Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor”, u tha Basha deputetëve gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ditën e shtunë.
Gjithsesi, ecuria e këtij objektivi të PD-së do të varet fort nga Partia Socialiste. Mazhoranca është shprehur e hapur që të dialogojë për të gjitha temat me opozitën, por aktualisht prioritet i saj është vettingu dhe ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të tij, zgjatje të afateve të tij.
PD nga ana tjetër do të dalë me një propozim zyrtar në fund të procesit të konsultimeve me bazën dhe qytetarët për ndarjen e re administrative. Gjasat që propozimi i demokratëve të kërkojë shtimin e numrit të bashkive janë të mëdha. Shifra mund të përllogaritet te rreth 100 bashki, aq sa propozoi gjatë miratimit të ndarjes aktuale administrative të vendit, proces që u bojkotua nga PD.
Ndasitë në këtë pjesë janë të mëdha. Burime të gazetasi.al thonë se PS mund të pranojë ndonjë korrigjim kufijsh administrative mes bashkive sipas ndarjes aktuale me 61 bashki, por është kundër shtimit të numrit të tyre, që e konsideron hap pas në reformën e ndërmarrë.
Ky qëndrim u konfirmua publikisht nga kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, megjithëse ky i fundit u kujdes ta theksojë se nuk ishte qëndrim i partisë, por qëndrimi i tij personal. “Për mua duhen më pak bashki”, tha Balla. Në fakt, në fund të 2014-s, kur diskutimet për reformën aktuale ishin në kulmimin e tyre, PS mbështeti edhe me votë në komisionin e posaçëm parlamentar variantet me 39 dhe 47 bashki.
Reforma mund të jetë më e thellë
Në diskutimin e reformave administrativo-territoriale në Shqipëri, elementi kryesor që ka udhëhequr partitë politike të përfshira në diskutime ka qenë efekti zgjedhor dhe analizimi se si ndikon ndarja e propozuar në mandatet e deputetëve, apo bashkive.
Partia Demokratike ka akuzuar se ndarja aktuale favorizon Partinë Socialiste dhe kërkon ndryshimin e saj. Nga ana tjetër, socialistët me rihapjen e kësaj teme mund të rihedhin në tryezë një propozim të 2014-2015 për një reformë administrativo-territoriale më të thellë, që veç bashkive do të prekte edhe 12 qarqet.
Nuk është më sekret që në PS mbështetet shkrirja e qarqeve dhe ndarja e vendit në katër rajone. Socialistët e kanë bërë një ndarje të tillë përmes një ligji, ndonëse e theksojnë se qëllimi i ndarjes nuk është për efekt administrativ, por për efekt social-ekonomik e zhvillimor me theks ndalimin e shpopullimit të rajoneve.
PS e ka përgatitur terrenin për këtë, madje duke përfshirë edhe në Kushtetutë fjalën “rajon” me ndryshimet e kryera e kryera në korrik të vitit të kaluar. Reformimi i qarqeve është sugjeruar që në 2014 nga ekspertët dhe vetë përfaqësuesit e pushtetit vendor gjatë konsultimeve për reformën aktuale.
Në mungesë të dakordësisë me PD, PS vijoi vetëm me reformën që reduktoi ndarjen administrativo-territoriale nga 300 e ca bashki e komuna në 61 bashki, pa prekur 12 qarqet. Rihapja e kësaj çështjeje është një mundësi e dytë për Partinë Demokratike, që të përfshihet në diskutimet e reformës territoriale dhe një mundësi e artë e Partisë Socialiste për të jetësuar qëllimin e saj; shkrirjen e 12 qarqeve në katër rajone.
Por, a do të gjejnë palët dakordësi për këto tema, e mbi të githa a do të lihen menjanë llogaritë elektorale për të realizuar këtë herë një reformë vërtet territoriale?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.