Nga Gazeta Si - Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, njëherazi anëtar i komisionit për reformën zgjedhore deklaroi i ftuar në një emision televiziv se, ishte e pamundur që ky komision të zhvillohej online për vetë problematiken që mbart.
Pyetja ndaj tij vinte me të drejtë pas bllokimit të mbledhjes së parë të komisionit nga grupi Bardhi-Berisha që kërkojnë bashkëkryetarin me argumentin se përfaqësojnë shumicën më të madhe të deputetëve të PD.
Por sot (e premte), në kushtet kur Lindita Nikolla nuk i dha zgjidhje kërkesës së 47 deputetëve të opozitës (bashkë me aleatët) për ndryshimin e përbërjes së komisionit, grupi Bardhi-Berisha bllokoi sërish mbledhjen.
Në një njoftim të dytë, zyra e Kuvendit nuk vonoi dhe ‘gjeti’ përgjigjen e gatshme: Mbledhja do të mbahej online.
Blendi Klosi, i pari që kundërshtoi këtë variant, u detyrua të shfaqej me pak sekonda vonesë në monitorin e mbledhjes online të komisionit. Por nuk u shfaqën as fare aleatët e PD-së dhe PDIU.
Në bllok (përballë PS) ishin vetëm anëtarët e PD-së zyrtare, nga Enkelejd Alibeaj (që mbajti një referat të gjatë) e deri tek Eralda Bano apo Selaudin Jakupllari. Gjithsej pesë anëtarë të PD-së zyrtare dhe asnjë përfaqësues tjetër nga opozita.
Në anën tjetër deputetët e PS-së në rresht, dikush në zyrë, dikush në një ambient jashtë zyre që kish sfumuar pamjen pas shpine.
Rasti me flagrant ishte ai i deputetit të PS-së Klevis Xhoxhi i rehatuar mirë në një makinë.
Në mbledhjen e parë të rëndësishme pas dy vitesh dështim, komisioni i reformës zgjedhore pati paraqitjen më të keqe.
Një mbledhje memece (me dy protagoniste) dhe deputetë ne ambiente edhe jashtë Kuvendi, që iknin e vinin nga problemet me lidhjen online, me një opozitë në anën tjetër të përgjysmuar me përbërje që pak kush i njeh në publik.
Në mbledhjen e parë zyrtare rend dite ishte shqyrtimi i planveprimit të Komisionit dhe kalendarit të punimeve. Sigurisht mbledhja vijoi e qetë dhe pa debate. Fundja ky duket se është qëllimi i këtij komisioni, forma dhe jo përmbajtja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.