Nga Gazeta Si- Instituti për Bashkitë Shqiptare është kundër reformës së re të Menaxhimit të Mbetjeve, të prezantuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. Sipas kësaj reforme, pritet ngritja e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, ku tashmë ky proces nuk do të jetë më në dorë të pushtetit vendor, i cili do jetë ‘klient’ i operatorit.
Në një reagim të gjatë, Instituti për Bashkitë Shqiptare thotë se kjo reformë përbën një hap pas në decentralizimin, duke theksuar se menaxhimi i mbetjeve nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia e qeverisjes vendore.
“Është e qartë se përmirësime rrënjësore duhen bërë, si në infrastrukturë, ashtu edhe në ndërgjegjësimin qytetar. Megjithatë, propozimi për të kaluar menaxhimin e mbetjeve tek një operator kombëtar, duke reduktuar bashkitë në thjesht “klientë”, përbën një hap pas për decentralizimin dhe parimin e subsidiaritetit”, thuhet në reagim.
Instituti shton se menaxhimi i mbetjeve është një shërbim bazik, i lidhur ngushtë me jetën e përditshme të qytetarëve, dhe nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia e qeverisjes vendore.
Më tej, Instituti për Bashkitë Shqiptare shkruan se problemi me menaxhimin e mbetjeve nuk zgjidhet me centralizim, por duke forcuar kapacitetet e bashkive, financimin e qëndrueshëm, partneritetet publike-private dhe bashkëpunimin ndër-bashkiak.
“Vetëm kështu mund të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm, ku qytetari ka zë dhe pushteti vendor mban përgjegjësi reale për shërbimet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



