Rend dhe Ligj

Reforma “e thellë” e Policisë; drejtorët ikin… bëhen drejtorë

Në konferencën e parë për shtyp që thirri pas dy ngjarjeve kriminale në vend me tetë të vdekur dhe pesë të plagosur në Vlorë dhe Velipojë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi premtoi javën e kaluar se brenda po asaj jave “do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të Policisë së Shtetit në nivele qarku, që më pas do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit”.

LEXO EDHE:
– 8 viktima në dy ditë, Çuçi “zhvishet” nga përgjegjësia: Faji i gjyqtarëve dhe prokurorëve
– Ngjarjet kriminale, lëvizje dhe ndryshime në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit

Java të cilës iu referua ministri i Brendshëm kaloi vetëm me shkarkimin e ish-kreut të Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka dhe për të mësuar “thellësinë” e reformës “parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit”, siç ministri Çuçi e cilësoi duhej pritur kjo e hënë.

Rezultati? Me përjashtim të Tiranës dhe Gjirokastrës në 10 qarqet e tjera të vendit drejtuesit e Policisë së Shtetit janë ndryshuar. Por,më shumë se ndryshime janë rrotacione, apo zhvendosje. Drejtorët mbetën po drejtorë, apo zv.drejtorët u emëruan drejtorë.

LEXO EDHE:
– Shkarkohet kreu i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit

Skënder Hita, që deri më tani mbante postin e Zv.Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër, që sipas të dhënave të INSTAT ishte qarku me nivelin më të lartë të kriminalitetit për 2020 emërohet Drejtor i Policisë së Shkodrës, duke zëvendësuar në këtë post Niko Brahimin.

Brahimi u emërua në këtë detyrë në mars të 2019-s, duke zëvendësuar të shkarkuarin Vehbi Bushati. Ndryshimet pasonin disa ngjarje kriminale të bujshme në këtë qark që kulmuan me vrasjen e vëllezërve Bilali. Gjatë prezantimit të tij, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sandër Lleshaj tha se ndryshimet do t’i jepnin një impuls të ri forcës goditëse dhe parandaluese të Policisë së Shtetit në këtë qark.

LEXO EDHE:
– Rokada në polici, Vasili: Me Ramën kryeministër, asnjë efekt
– Trafik droge dhe korrupsion, KLP pezullon prokurorët Sota dhe Karriqi
– Korrupsion me tenderat, SPAK: Së shpejti do të kemi rezultate
– Operacioni “Shpirti”, Alibeaj: Policia gënjeu, shoqëruesit e Tahirit nuk janë nën arrest

Dy vite e pak muaj më vonë, Niko Brahimi largohet nga ky post dhe ndryshimet pasojnë sërish një ngjarje të bujshme kriminale; atë të vrasjes së katër personave në Velipojë pas një sherri të armatosur për shfrytëzimin e hapësirave publike në plazhe.

Brahimaj vetë është transferuar po si drejtor, por në Institutin e Policisë Shkencore, duke iu rikthyer detyrave te organet qendrore të Policisë së Shtetit, ku në të shkuarën ka mbajtur postin e zv.Drejtorit të Përgjithshëm dhe atë të drejtorit për hetimin e krimeve të rënda.

Drejtori i Policisë së Fierit, Bledar Çeliku transferohet po drejtor, por pak kilometra më në jug. Ai merr drejtimin e Policisë së Vlorës. Para se të emërohej në krye të Policisë së Fierit, Çeliku ka mbajtur postin e drejtorit të njësisë Task Force në Policinë e Shtetit.

Rrokada tjetër është nga Korça në Fier. Vendin e lënë bosh të Bledar Çelikut do ta zerë Ferdinanta Mara, që lë postin e drejtorit të Korçës për t’u zhvendosur po si drejtor në Fier. Mara u emërua në 2013-n si zv.drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë, ndërsa ka mbajtur edhe postin e drejtorit në këtë qark, ku në 2019, Ardi Veliu e largoi për ta emëruar më pas në Korçë.

Gjovalin Loka, ish-drejtor i Policisë në Qarkun e Shkodrës dhe më pas drejtor në Departamentin e Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit është transferuar në Elbasan, duke zëvendësuar në këtë post Alket Shatron. Ky i fundit u emërua në këtë post vetëm në nëntor të vitit të kaluar.

Drejtori i Policisë së Durrësit ikën po si drejtor, por në Lezhë, ndërsa në vend të tij emërohet Oltion Bistri, deri më tani shef i Komisariatit nr.2 të Policisë në Tiranë. Posteve të drejtorëve u rikthehet edhe Ardian Çipa, që nga Akademia e Sigurisë transferohet si drejtor i policisë në Korçë.

Çipa ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë së Tiranës, atë të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në kohën që kjo strukturë drejtohej nga Artan Didi si dhe drejtorit në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Ministrinë e Drejtësisë.

Hamdi Fjore, zv.drejtor i Policisë së Korçës u transferua si drejtor në Policinë e Kukësit. Në Berat, postin e drejtorit të Policisë e merr Edmond Tarkaj, që deri më tani ka qenë drejtor i Policisë Rrugore, e cila vetëm së fundmi prezantoi nismën “Ruaj jetën dhe kuletën”, si përpjekje për të reduktuar aksidentet rrugore. Më parë ka mbajtur postin e drejtuesit të policisë në Korçë dhe Dibër.

Vendin e lënë bosh te Policia Rrugore e merr Dhimitraq Ziu, deri më tani zv.drejtor për sigurinë publike të Tiranës. Në 2018-n, kur Ardi Veliu u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ziu u komandua në vend të tij në krye të Policisë së Tiranës.

Luigj Vathi emërohet zv.drejtor i Policisë së Tiranës, nga drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Vlorës. Në maj ai kaloi vettingun, ku u mësua se kishte ndryshuar edhe mbiemrin nga Vathaj në Vathi, si dhe gjatë karrierës është ulur me gradë në tre raste.

Ndryshimi i fundit është ai i Neritan Nallbatit, që lë detyrën e drejtorit të Policisë së Beratit dhe transferohet si Drejtor në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vendin e lënë bosh nga Gjovalin Loka që iku drejtor në Elbasan.

Nallbati u emërua drejtor i Policisë së Beratit vetëm një vit më parë, ndërkohë që më parë ka drejtuar Policinë në Elbasan dhe në Fier.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë