Menaxhim

Reforma e Kadastrës/ Pas 10 vitesh në qeveri, Rama kërkon ndjesë: S’ka më korrupsion e qoka. Më 3 korrik mbyllen shërbimet fizike, çdo gjë online

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot mbylljen përfundimtare të shërbimeve fizike të Kadastrës, të hënën e 3 korrikut, për të nisur më pas shërbimin online.

Duke e quajtur reforma digjitale e Agjencisë së Kadastrës, Rama tha se ky vendim do t’i japë fund korrupsionit dhe torturës që kanë përjetuar shqiptarët ndër vite, më katastrofikja në të gjithë Europën.

“Jemi në kushtet kur kemi parë para syve tanë të ndodhin çudira pas çudirave me pronat e shqiptarëve. Aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja. Kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemën. Kjo ka ndodhur sepse influenca politike mbi kadastrën ka qenë e pranishme. E vërteta e hidhur është se kadastra është penguar në radhë të parë nga deputetët, ministrat e kryetarët e bashkive. Han me tetë porta ku ke porta e parë hynte udhëheqësi dhe tek portat e tjera të tjerët”, tha kryeministri.

Ai i kërkoi ndjesë të gjithë shqiptarëve, por si kryetar i Partisë Socialiste, lidhur me punësimet e bëra në këtë institucion dhe e quajti “rifugio peccatorum” fenonemin e “qokave” me lidhjet në Kadastër.

“Ndjesë të gjithëve që kanë kaluar torturën në zinxhirin e kadastrës. Ky institucion ka bashkëjetuar me kërcënimet. Ndjesë që mezi kam pritur ta bëj! Kadastra do të jetë tashmë një makineri digjitale. Punonjësit kanë filluar të largohen e them me shumë dëshirë. Nga 3 korriku askush nuk bën më gjë në kadastër. Askush nuk do ju përgjigjet. Asnjë kushëri e asnjë mik nuk do futet. Se nuk do të ketë gjë në dorë.  Ai i Shkodrës do të trajtojë një rast në Delvinë, si ti dalë në kompjuter. E askush nuk do të gjejë dot fillin si trajtohet. Përveç një sistemi elektronik. Një dritare në e-albania. Arkivat e mbushura me letra nuk aksesohen më. Nderi më i madh që i bëjmë shqiptarëve”, u shpreh Rama i cili përmendi edhe shkeljet e bëra me Aktin e Marrëveshjes së Tokës në Pronësi, AMTP,  që u krijua për tokat bujqësore, por që nuk ka funksionuar vetëm për atë.

Kreu i qeverisë tha se me AMTP janë dhënë letra për pronë shkëmbinj e për pronë në ujin e detit. “Më vjen turp kur mendoj se çfarë kanë hequr njerëzit. Pa llogaritur krimi e AMTP, letra të dhëna rrugëve për shkëmbinj, shkrepa, ujë deti. Kam parë detin të kufizuar si pronë. Letrat janë dyfishi i sipërfaqes së Shqipërisë. Ngaqë s’kanë ku futen në hartë i gjen mbi njëra-tjetrën, për një pronë janë 3 palë pronarë”, tha Rama.

Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke thënë se Kadastra është bankë, si banka qendrore, dhe për këtë i duhen “bankierë” dhe jo “banakierë”. Ai shtoi se e gjithë arkiva online do të ruhet në teknologjinë blockchain, si forma më e sigurt, por që ditët e para mund të ketë disa problematika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë