Analize

Reflektimi i vonë i Trump: SHBA nuk bën dot pa Europën

Nga Gazeta ‘Si’– Gjyshërit gjermanë të Donald Trump ndoshta e njihnin mirë fjalën që sot përshkruan ndjenjën e disa zyrtarëve europianë, teksa e shohin atë të ankohet se aleatët tradicionalë të Amerikës e kanë lënë në baltë: Schadenfreude– kënaqësi e fshehtë për fatkeqësinë e tjetrit.

Pasi kaloi një vit duke kritikuar, fyer dhe kërcënuar liderët europianë, Trump tani duket se e kupton vlerën e miqve në zona strategjikisht të rëndësishme, të paktën kur ata zotërojnë asete ushtarake që mund t’i përdorë.

Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit do të kishte qenë shumë më e lehtë në ditët e para, po të mos kishte refuzuar kryeministri britanik Keir Starmer t’u jepte leje bombarduesve amerikanë të ngriheshin nga bazat ajrore në Mbretërinë e Bashkuar.

Starmer, megjithatë, ka qëndruar i palëkundur, duke refuzuar të autorizojë operacione përtej atyre që i cilëson “mbrojtëse” nga bazat e Forcave Ajrore Mbretërore, brenda dhe jashtë territorit britanik.

Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez po mban një qëndrim të ashpër ndaj Trump, duke e cilësuar operacionin në Lindjen e Mesme si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe duke mos lejuar ngritjen e avionëve amerikanë nga bazat nën kontrollin e Spanjës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez

Si pasojë, ai ka shkaktuar zemërimin e presidentit amerikan.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron shpesh një “mik kritik” i Uashingtonit e quajti luftën kundër Iranit të rrezikshme, duke paralajmëruar se ajo nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të mbështetet.

Përçarja rrezikon të përshkallëzohet në një përplasje të madhe tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ndërsa “marrëdhënia speciale” mes SHBA-së dhe Britanisë duket në krizë, pikërisht në prag të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.

“Kjo nuk është figura e Winston Churchill me të cilën kemi të bëjmë,” tha Trump, duke shpjeguar frustrimin e tij me Starmer.

Të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se “Presidenti pret që e gjithë Europa, të gjithë aleatët tanë europianë, të bashkëpunojnë në këtë mision të shumëkërkuar, jo vetëm për SHBA-në, por edhe për vetë Europën, për të shkatërruar regjimin iranian që kërcënon jo vetëm Amerikën, por edhe aleatët tanë europianë.”

Ajo shtoi se Spanja kishte “rënë dakord të bashkëpunojë”, por Madridi reagoi menjëherë me një përgënjeshtrim zyrtar.

Një anije e Marinës Amerikane u ankorua në Stacionin Detar Rota në Spanjë më 4 mars. 

Qëndrimi gjithnjë e më i fortë i liderëve europianë ndaj Iranit përbën një moment kthese, i krahasueshëm me përçarjen që shkaktoi pushtimi i Irakut nga administrata e George W. Bush në vitin 2003, një ndërhyrje që dëmtoi për vite të tëra besimin transatlantik.

Tensionet mbi këtë konflikt të ri në Lindjen e Mesme mund të rezultojnë madje ekzistenciale për aleancën perëndimore, pas 12 muajsh që tashmë i kishin çuar marrëdhëniet SHBA-Europë në kufijtë e thyerjes.

Fantazmat e Irakut

Qasja agresive e Trump që nga rikthimi i tij në detyrë në janar 2025 ka qenë e vështirë për t’u përtypur nga shumë zyrtarë europianë. Ai ka reduktuar mbështetjen amerikane për Ukrainën, ka shtyrë Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje të pabarabartë, ka kritikuar liderët e BE-së si “të dobët” për emigracionin, ka kërkuar dorëzimin e Groenlandës dhe tani ka sulmuar Iranin pa konsultuar aleatët kyç të NATO-s.

Të martën mbrëma, Trump e quajti qeverinë e Sánchez “të tmerrshme” dhe “armiqësore”, duke kërcënuar madje me ndërprerje tregtie me ekonominë e katërt më të madhe të BE-së.

Sánchez reagoi publikisht: “Nuk do të marrim një qëndrim që bie ndesh me vlerat dhe parimet tona nga frika e hakmarrjes.”

Sipas raportimeve, avionët amerikanë për furnizim me karburant që ndodheshin në Spanjë u zhvendosën drejt bazave të tjera në Europë pas nisjes së luftës. Disa prej tyre u transferuan përkohësisht në Francë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent e cilësoi qëndrimin e Madridit “thellësisht jokomunikues”, duke thënë se kjo rrezikon jetët amerikane.

Megjithatë, jo të gjithë europianët janë jashtë “librit të mirë” të Trump. Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, kancelari gjerman Friedrich Merz mori vlerësime pozitive, pasi baza ajrore Ramstein në Gjermani u vu në dispozicion të forcave amerikane.

“Gjermania ka qenë e shkëlqyer,” tha Trump.

Po Ukraina?

Edhe nëse Sánchez, Starmer dhe Macron e mbajnë qëndrimin e tyre përballë zemërimit amerikan, zyrtarët europianë e dinë se siguria e kontinentit mbetet e lidhur ngushtë me SHBA-në.

Pa presionin e Uashingtonit, Rusia vështirë se do të ulej në tryezën e negociatave për Ukrainën; pa armët amerikane, Kievi rrezikon humbjen në terren.

Një diplomat europian theksoi se nëse Europa nuk mund të shprehë shqetësime për veprimet amerikane në Iran, do të humbiste kredibilitetin edhe përballë luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë.

HMS Dragon u ankorua në Portsmouth të Anglisë më 4 mars përpara vendosjes në Qipro. Britania është midis disa vendeve evropiane që tani po dërgojnë asete ushtarake drejt Lindjes së Mesme

Edhe brenda SHBA-së ka pasur paralajmërime. Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët, raportohet se e ka paralajmëruar Trump për rreziqet e një lufte pa mbështetjen e aleatëve kyç.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë minimizoi përçarjen, duke theksuar se SHBA mbetet shtylla kryesore e NATO-s dhe se Europa ende varet nga mbrojtja amerikane.

Por nëse deri dje ishte e padiskutueshme varësia europiane nga Amerika, ajo që po bëhet e qartë tani është diçka tjetër: se edhe fuqia amerikane nuk është aq e fortë pa aleancat tradicionale.

“Një fuqi e sigurt në legjitimitetin e vet nuk i trajton aleatët në këtë mënyrë,” tha Constance Stelzenmüller nga Instituti Brookings.

“Ajo që i tremb vërtet europianët është mendimi se mund të jemi dëshmitarë të vetëshkatërrimit të fuqisë amerikane.”

Ndërkohë, Britania, Franca dhe Gjermania po dërgojnë anije luftarake dhe mjete të tjera drejt Lindjes së Mesme për të mbrojtur interesat e tyre përfshirë Qipron, ku një dron iranian goditi një bazë britanike.

Por çdo vendosje ushtarake në prag të një konflikti në përshkallëzim mbart rrezikun që edhe forcat “mbrojtëse” të përfshihen në luftime.

Dhe atëherë, në rrezik nuk do të jenë vetëm jetët amerikane apo izraelite por edhe ato europiane. Një vendim i madh, me pasoja të paparashikueshme.

Marrë nga Politico/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë