Mendim

Reeker: Marrëdhëniet SHBA-Kosovë në rrezik

“Ne nuk kërkojmë që Kosova t’i dhurojë Hënën, por të heqë taksën ndaj produkteve serbe të paktën përkohësisht”. Me këtë thirrje, Ndihmës sekretari ardhshëm i Shtetit për Evropën dhe Azinë e ktheu Kosovën në kryefjalën e vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës zyrtare në vendin, Philip Reeker u ka bërë thirrje edhe njëherë autoriteteve të Kosovës që të anulojnë taksën doganore të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut dhe arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Diplomati i lartë amerikan po merr pjesë në një seminar dyditor në Shkup për sigurinë, raportet rajonale dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit.

Diplomati amerikan është fokusuar në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, duke theksuar se “normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kornizën e dialogut që po udhëhiqet nga BE-ja, është një mundësi e artë për zgjedhjen e problemit që po mban peng gjithë Ballkanin”.

Philip Reeker gjatë një seminari në Shkup.

“Nëse Prishtina zyrtare nuk kthehet në tryezën e negociatave ‘pa kushte’, atëherë do të rrezikojë të ardhmen e saj europiane dhe jo vetëm”, tha Reeker. “Pastaj do të mund të shohim çfarë do të mund të arrihet në tryezën e bisedimeve. Marrëveshja nuk do të nënshkruhet derisa të arrihet një ujdi për të gjitha aspektet e saj”, theksoi Reeker.

Diplomati i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Shkup do të takohet me kryeministrin Zaev, liderin e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Taksa duket se ka shkaktuar një ngërç dhe brenda Kosovës, pasi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Mitrovicë se çdo Qeveri që rrezikon raportet me SHBA-në dhe bazën e Bondsteel-it në Kosovë mund të bjerë

Veseli tha se ai është tërhequr nga debati për raportet e Kosovës me SHBA-në, pasi, sipas tij, është e turpshme mënyra sesi si po trajtohen qytetarët e vendit. 

“Të gjitha Qeveritë mund të lëvizin dhe Bondsteeli jo. Asnjë Qeveri nuk mund të rrezikojë raportet e shenjta me SHBA-në. Ju e keni vërejtur që unë jam tërhequr nga ky debat dhe po më vjen turp se si po i trajtojnë qytetaret tonë. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, deklaroi Veseli.

Paardhësi i Wess Mitchel ka ftuar edhe Beogradin, i cili sipas tij, ka qenë agresiv në negociata, të angazhohet për të normalizuar marrëdhëniet.
Reeker, i cili ka marrë pjesë edhe në bisedimet Serbi-Kosovë në vitin 1999, ka bërë të qartë se mbështetja e SHBA-së për identitetin e Kosovës është e padiskutueshme.

“Qytetarëve të Kosovës ju themi se e kuptoj frustrimin tuaj dhe e kuptoj dëshirën tuaj për të kontrolluar të ardhmen dhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Nuk diskutohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe pavarësinë tuaj”, tha ai. “SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur, multietnik dhe sovran. Ne do të qëndrojmë gjithmonë krah jush, por, në disa raste kemi ardhur tek ju me kërkesa të rëndësishme dhe kjo është një nga këto raste”, theksoi diplomati amerikan.

Philiph Reeker dhe Hashim Thaci

“SHBA-ja beson se arritja e një marrëveshje me Serbinë është e vetmja rrugë që Kosova të vazhdojë përpara. Por Prishtina nuk mund t’i kthehet dialogut me Serbinë pa anulimin e taksës, gjë që ne besojmë se është në interes të Kosovës, SHBA-së dhe të gjithë rajonit. Është fatkeqësi dhe e habitshme që akoma kemi mosmarrëveshje serioze me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Kam frikë se Kosova po dëmton marrëdhëniet tona bilaterale, marrëdhënie të cilën ne e vlerësojmë shumë”, tha Reeker.

Diplomati amerikan ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten të përkushtuara për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, për shkak se kjo është interes strategjik i SHBA-së.

“Marrëveshja historike e Prespës është ajo e cila ia hapi rrugën Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtarja e 30 e Aleancës së veriut duke përshpejtuar procesin e integrimet evropiane”, theksoi Reeker.

Philiph Reeker

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara të mbështesin aspiratat e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të siguruar anëtarësim në Bashkimin Evropian, për shkak të strategjisë së SHBA-së për të pasur paqe, prosperitet dhe stabilitet në Europë, për të cilën luftuam së bashku 75 vjet më parë”.

“Zgjerimi i BE-së është një shtytje për reformat politike dhe ekonomike për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane. Duhet të mbetemi të përqendruar dhe të angazhuar për krijimin e qeverive më transparente dhe të përgjegjshme, sundimin e së drejtës, lirinë e mediave dhe krijimin e kushteve për të pasur një sektor civil të përkushtuar”, ka theksuar Reeker.

Ai po ashtu tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kreu grek, Alexis Tsipras, si dhe ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, duhet që të mburren me arritjen e Marrëveshjes së Prespës, e cila i dha fund kontestit për çështjen e emrit mes dy vendeve fqinje, duke nënvizuar se “liderët e Ballkanit do të mësojnë nga kjo përvojë, se problemet dhe konfliktet historike mundet të kalohen”.

Diplomati i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Shkup do të takohet me kryeministrin Zaev, liderin e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë