Lajme

Reagojnë vëllezërit indianë: Sulme të motivuara politikisht

Grupi indian “Sandesara”, i themeluar nga vëllezërit Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara ka reaguar për akuzat për pastrim parash dhe mashtrim financiar. Në një deklaratë sqarohet se ato që thuhen në media për Nitin dhe Chetan Sandesara janë dezinformime. Sipas tyre akuza për të cilën janë hetuar në vitin 2017 në Indi është bërë për qëllime politike, ndërsa shtojnë se ato kanë një prani të madhe të biznesit në të gjithë botën dhe ka marrëdhënie biznesi në mbi 75 vende.
“Në vitin 2017 ekzistonte një hetim i dyshimtë për mashtrimet bankare për kompanitë tona indiane, të hetura nga agjencitë e qeverisë së Indisë vetëm për qëllime politike. Ky mashtrim bankar i dyshuar gjithashtu është cilësuar si pastrim parash. Këto janë të gjitha pretendimet dashakeqe, dhe asgjë nuk është provuar në gjykatë dhe në fakt të gjitha këto akuza janë kontestuar nga grupi Sandesara në gjykata të ndryshme në Indi. Përkundrazi, gjykatat ndërkombëtare kanë konsideruar tashmë se këto veprime të agjencive indiane janë të gjitha të motivuara politikisht dhe transaksionet e thjeshta komerciale janë shtrembëruar duke u quajtur si mashtrime bankare edhe pse bankat janë paguar shumë më tepër para se kredia dhe përveç kësaj kur bankat po mbajnë gjithashtu kolateralin e më shumë se një miliard dollar aktiveve të grupit Sandesara në Indi”, thuhet në deklaratën e tyre.
Pas akuzave të dala në lidhje me skandalin përe mashtrimin e parave, dy ditë më parë Ministria e Jashtme i ndërpreu mandatin e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara. Vendimi u bë i ditur nga ana e MEPJ-së, nëpërmjet një reagimi për shtyp, pas skandalit në lidhje me dhënien e nënshtetësisë.
Skandali
Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Skandali shpërtheu në janar të vitit të kaluar kur agjencia e krimit ekonomik në Indi arrestoi drejtorin e ‘Andra bank’, bankës më të madhe e cila kishte lëvruar kreditë për vëllezërit Sandesara. Në po të njëjtën kohë autoritetet indiane bllokuan pronat e kompanisë Sterling Biotech, e cila u fut në proces falimentimi. Por, dy vëllezërit Sandesara u arratisën nga India.
Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.
Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezërit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri. Ata po ndërtonin pallate te zona e Liqenit të thatë në Tiranë si edhe janë pjesë e një ndërtimi në bregdet në zonën e Dhërmiut. Ata kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, Tulja Real Estate dhe Laxmi Real Estate siç tregojnë dokumentet e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit.
Në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit çdo individ i huaj kalohet në sitë nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë