Nga Gazeta ‘SI’ – Parlamenti i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen e pensioneve me Italinë, prezantuar nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe.
Me 92 vota pro, asnjë kundër, është ratifikuar marrëveshja nga ku do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.
“Në parimet themelore të saj mund të përmendim bashkimi i periudhave kontributive për të përmbushur fatin prej 15 vitesh që duhet për tu kualifikuar për të përfituar pension. Personi ka të drejtë të tërheq përfitimin në çdo vend ku ai ndodhet. Për të pasur një ide mbi numrin e shtetasve italian ata që janë aktualisht në Shqipëri me leje qëndrimi numërohen rreth 4 mijë shtetas italian në Shqipëri që janë përfitues të kësaj skeme, ndërsa janë mbi 500 mijë shtetas shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Itali që pritet që të përfitojnë nga kjo marrëveshje”, tha Gonxhja.
Gjatë prezantimit përballë deputetëve, përveç marrëveshjes, Gonxhe u ndal dhe tek problematikat e skemës në Shqipëri. Sipas ministrit, mosdeklarimi apo nëndeklarimi i pagave prek drejtpërdrejtë pensionet.
“Skema e pensioneve është kontributive, dhe bazohet mbi deklarimet e pagave. Pavarësisht se duam, të kemi rritje të pensioneve, duhet edhe ndërgjegjësim nga të gjithë që të deklarojmë pagat reale. Kemi shumë probleme me deklarimin e vërtetë të pagave që lidhet direkt edhe me pensionet, ne duhet te deklarojmë pagat nëse duan që të përfitojnë një pension të denjë në të ardhmen. Kjo lidhet edhe me masat që do të marrë shteti, por është edhe me ndërgjegjësimin e të gjithëve”, tha Gonxhja.
Ai theksoi se janë 480 mln euro në vit që shteti paguan për të mbuluar diferencën e skemës por edhe për të kontribuar në zbutjen e efekteve që kanë kostot për këta qytetarë që janë në këto skema.
“Është përgjegjësi edhe individuale, ka të bëjë edhe me kontrollin e gjithçka tjetër që shteti mund të bëjë në këtë drejtim nëpërmjet agjencive të veta”, tha ministri në Kuvend.
LEXO EDHE:
Si do të funksionojnë njohja e pensioneve Itali-Shqipëri, qeveria: Po shqyrtojmë dhe minimumin jetik, pezull marrëveshja me Greqinë
Ndonëse edhe opozita votoi pro marrëveshjesh me Italinë, kërkoi që qeveria të bëjë më shumë për pensionistët, nisur nga miratimi i minimumit jetik.
“Të dhënat janë kokëforta dhe ne nuk patëm mundësi që t’i diskutojmë të plota në Komisionin e Ekonomisë dhe si rezultat i zhurmës së përhershme, edhe kur interesohesh për të marrë informacione, bën keq. Por INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjeç, ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve, kryesisht në fshat, i kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT, sepse siç të gjithë e dimë, nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.