Gazeta Si – Pas disa muajsh fjalë e zëra, tani merr formë zyrtare. Jim Ratcliffe është një aksioner i ri i Mançester Junajtid. Pronari i Ineos ka marrë 25% të kuotave të ‘Djajve të kuq’, duke iu bashkuar familjes Glazers, në krye të klubit që prej vitit 2005.
Ajo që bën përshtypje ka të bëjë me faktin se 71-vjeçari ka paguar shifrën rekord të 1.44 miliardë eurove, shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për të blerë një kuotë në minorancë të një klubi.

Ratcliffe, që garanton edhe 300 milionë dollari investime në infrastrukturë, ka ambicie të mëdha: “Do të rikthejmë klubin në majat më të larta të futbollit anglez, europian dhe botëror, – ka thënë biznesmeni. – Në bazë të akordit, do të kem në dorë administrimin total të operacioneve futbollistike. Na pret një punë e madhe, deri tani nuk është shfrytëzuar potenciali i madh që garanton ky klub i madh”.
Dorë e lirë edhe për merkaton dhe zgjedhjet teknike për sipërmarrësin e njohur, që prej 13 muajsh kërkonte kuota te Mançester Junajtid. Ai ka fituar konkurrencën me një biznesmen nga Katari, Sheikh Jasim bin Hamad al-Thani.
Ratcliffe do të ketë gjithashtu fuqi të madhe vote në Këshillin Administrativ, ku do të jenë dy njerëz të besuar të tij, si Jean Claude Blanc dhe Sir Dave Brailsford. Fillon kështu një erë e re për ‘Djajtë e kuq”, me revolucionin në prag.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




