Arsim

Raporti / Strategjia kombëtare e arsimit po dështon

Nga Gazeta Si- Universitetet duhet të kishin laboratorët e kërkimit shkencor, por ky vazhdon të mos jetë një realitet për Shqipërinë. Gjithashtu, klasat kolektive do vazhdojnë, njësoj siç do vazhdojnë edhe problematikat me pjesëmarrjen e nxënësve me aftësi të kufizuara apo dhe ulja e numrit të nxënësve dhe studentëve.

Të gjitha këto vihen re në raport-monitorimin e Qëndresës Qytetare për Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026.

Në raport shkruhet se në dy vitet e fundit, është vërejtur një rënie në pjesëmarrjen e nxënësve në arsimin parauniversitar, përfshirë uljen prej 7.8% në arsimin parashkollor dhe 3.8% në arsimin bazë parauniversitar.

“Nismat për uljen e braktisjes së hershme kanë rezultuar të pasuksesshme pasi në vitet 2021-2023 rezultojnë të kenë braktisur arsimin parauniversitar 2830 nxënës. Gjithashtu konstatohet nga monitorimi i kryer se institucionet e arsimit parauniversitar nuk kanë të implementuar një sistem të standartizuar të parandalimit të braktisjes së hershme”, thuhet në raport, duke shtuar se pavarësisht kësaj, mësimdhënia në klasa kolektive do të vazhdojë.

Autorët e monitorimit theksojnë gjithashtu se ka mungesë të specialistëve në sistemin arsimor, të tillë si punonjësit socialë, psikologët apo oficerët e sigurisë.

“Vetëm në vitin shkollor 2022-2023 janë raportuar 796 raste të dhunës fizike, 912 raste të dhunës psikologjike dhe 954 raste të bullizmit,” vlerëson raporti.

Ndërkohë, edhe pse numri i psikologëve në shkolla është rritur me 30 për qind, sot, një psikolog apo punonjës social është përgjegjës për ofrimin e shërbimeve mesatarisht për 506 nxënës, teksa në 54% të shkollave mungojnë oficerët e sigurisë, gjë që lë vend për hapësira të pasigurta për të rinjtë.

Edhe specializimi i drejtuesve të shkollave shënon një përqindje tepër të ulët.

“Shkolla e Drejtorëve ka certifikuar 908 drejtues deri në vitin 2023, por vetëm 27.6% e shkollave drejtohen nga individë të certifikuar,” thuhet në raport.

Gjithashtu, në raport vihet re se pjesëmarrja e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin e mesëm të lartë ka rënë me 3.9% dhe rezulton se 86% e atyre nuk ndjekin arsimin bazë. Ndërsa numri i mësuesve ndihmës është rritur me 13%, por kjo përdoret për të plotësuar normën e orëve të punës së mësuesve për shkak të ndryshimeve demografike.

“Në dy vite nga 2021-2023, gjetjet tregojnë se 2830 nxënës kanë braktisur shkollën dhe mungojnë 291 arsimtarë,” thuhet në raport.

Një tjetër problem i evidentuar është kapaciteti i ulët digjital i sistemeve arsimore, ndërsa premtimet dhe strategjitë në këtë drejtim kanë mbetur në letër.

Monitorimi evidenton se raporti kompjuter-nxënës është 1 kompjuter për 20 nxënës, ndërkohë që ka mungesë të mbulimit me internet të shkollave. Gjetjet e monitorimit tregojnë më tej se Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës kanë vështirësi në aksesin me internet gjatë procesit mësimor.

“46% e institucioneve janë ta pajisura me internet, ndërsa nga këto vetëm 5% kanë internet ‘wireless’.

Lidhur me universitetet kryesore të vendit, raporti tregon se ndërkombëtarizimi i tyre mbetet në nivele të ulëta, pavarësisht vendosjes si prioritet nga qeveria.

“Vetëm 0.6% e studentëve janë të huaj dhe numri i studentëve shqiptarë që marrin pjesë në programe shkëmbimi ndërkombëtare është zakonisht më pak se 1%,” thuhet në raport.

Gjithashtu, shumica e universiteteve kanë buxhete të dedikuara për projekte ndërkombëtare, por një pjesë e madhe e fondeve mbetet e pashpenzuar, duke treguar problematika në realizimin dhe zbatimin e këtyre projekteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë