Ana e errët

Raporti, Shqipëria prodhon kanabis, përpunon kokainë dhe transporton heroinë

Në një raport të fundit nga  Global Initiative tregohet se Ballkani Perëndimor është aktor kryesor i trafikut të drogës nëpër botë, ku Shqipëria del me një rol të rëndësishëm.

Në fokusin e Shqipërisë, raporti përmend qytetin e Elbasanit duke iu referuar laboratorit të drogës së Xibrakut, zbuluar në vitin 2015.

Raporti tregon se kokaina në Ballkan kalon nga porti i Durrësit dhe Tivarit, e fshehur zakonisht në dërgesat e frutave ose lëkurëve të kafshëve.

Drogat ruhen dhe para se të përzihen me substanca të tjera ndahet në sasi nga 3 në 10 kilogram dhe më pas shpërndahet nëpër Europë. Kokaina që futet nga porti i Tivarit në Mal të Zi,  kalon në Bosnjë dhe përfundon në Kroaci. Këtu çmimi varion nga 35.000 deri në 38.000 euro për kg. Kur droga arrin në Serbi mund të shkojë deri në 50.000 euro për kg ose shkëmbehet me sasi heroine.

Kokaina që hyn në Shqipëri vjen përmes Portit të Durrësit dhe çmimi për kilogram (kokainë 90% e pastër) në dorëzim është midis 25.000 dhe 30.000 euro. Nga Durrësi transportohet në Veri drejt Podgoricës, drejt Bosnjës dhe Kroacisë ose në lindje të Maqedonisë së Veriut.

Sipas raportit, në Tiranë dhe Podgoricë mund të gjesh kokainën më të pastër në rajon.

Kokaina për konsum po përhapet në disa tregje, veçanërisht në qendrat urbane si Beogradi, Nishi, Podgorica, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana, si dhe në pikat turistike në bregdet. Kokaina e konsumuar në rajon nuk është cilësore (me përjashtim të Tiranës dhe Podgoricës).

Europa nuk kërkon më kokainën nga Amerika Latine pasi Ballkani mund t’i plotësojë nevojat.

Në tregun e heroinës, Shqipëria shërben si një rrugë kalimi. Sasitë e heroinës që merren nga Serbia në Hungari, në Maqedoni dhe Kosovë kalojnë në Shqipëri. Nëpërmjet portit të Durrësit heroina kalon në Itali.

Nga Turqia në Ballkan, çmimi i heroinës dyfishohet nga 20.000 euro që është fillimisht, por më pas çmimet rriten me të njëjtat ritme pasi të shitet në Bashkimin Europian.  Vlera e një kilogrami heroinë rritet me rreth 2000 euro në çdo pikë doganore që kalon.

Në Shqipëri ka të dhëna të importit të opiumit  . Laboratorët e heroinës u zbuluan në Fushë-Krujë në 2014 dhe Has në 2018, ku punonte një kimist nga Turqia. Ka gjithashtu laboratorë rreth Elbasanit dhe Kukësit. Prodhimi i heroinës në vend nga opiumi i importuar krijon një fitim shumë më të madh sesa rishitja e heroinës së importuar.

Në tregun e Kanabisit, raporti i GI, rendit Shqipërinë në vendin e  parë për prodhimin dhe kultivimin e saj.

Pas vitit 2016 kultivimi i kanabisit ra, por në malësitë e Dukagjinit dhe Krujës, dhe në rajonin e Vlorës, përreth Memaliajit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, si dhe përreth Fierit, Librazhdit, Lezhës, Mallakastrës, Bulqizës, Devollit dhe Laçit, thuhet në raportin e Global Initative për ecurinë e tregut të drogës dhe pastrimin e parave në Ballkanin Perëndimor.  

Kilogrami i kanabisit në vendin tonë nis nga 1.200-1.400 euro, ndërsa varietieti që rritet në kushte të mbyllura shkon deri në 2.000 euro. Kanabisi shqiptar tregtohet në Greqi, Itali, Turqi dhe në veri të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë