Njerez

Raporti / Shfrytëzimi i fëmijëve në punë, Shqipëria s’ka të dhëna. Të përmirësohet Inspektoriati i Punës

Nga Gazeta ‘SI’ – Shfrytëzimi i fëmijëve është shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore për Punën, ILO, për sa i përket Shqipërisë.

ILO i kërkon Shqipërisë të ketë në fokus “fëmijët në rrezik të veçantë”, ku përfshihen ato nga komunitetet rome dhe egjipitiane, që vuajnë diskriminimin dhe nuk ndjekin shkollën. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024, janë trajtuar 55 raste të fëmijëve që punonin në rrugë.

Duke theksuar se qeveria nuk i është përgjigjur disa kërkesave të ILO, për informacion dhe as për përditësim të të dhënave, Organizata citon shifrat e vitit 2023, kur u gjetën 251 fëmijë që punonin ilegalisht, kryesisht në sektorë të shërbimit, por edhe në manifakturë. Shkeljet përfshinin punësimin e të miturve nën 18 vjeç në punën e natës, punësimin e të miturve pa autorizim dhe punësimin e fëmijëve nën 15 vjeç në aktivitete kulturore, artistike, sportive ose reklamuese pa autorizim paraprak.

ILO thekson se qeveria shqiptare nuk ofron informacione se sa janë fëmijë në rastet e raportuara të trafikut njerëzor. Po ashtu Organizata i kërkon Shqipërisë të raportojë arritjet e prekura nga zbatimi i strategjive në mbrojtje të fëmijëve.

ILO thotë se në vitin 2023, Inspektoriati i Punës vendosi 2.506 masa administrative, sa 25% e subjekteve të inspektuara dhe janë likujduar 41% e gjobave, rreth 11.7 milionë lekë. ILO thekson se ka një numër të ulët inspektimesh dhe gjobat. Po ashtu sugjeron rritjen e inspektimeve në sektorin bujqësor.

Problematikat e Inspektoriatit, thotë ILO, vijnë për shkak të problematikave në strukturë. Numri i inspektorëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha subjektet dhe për të siguruar monitorimin e duhur, thekson Organizata. Përpos kësaj, inspektorët janë të kufizuar për të bërë punën e tyre dhe për shkak të mungesës së transportit. Në inspektoriatin e Punës, ILO thotë se janë 22 vende vakante pune dhe i kërkon qeverisë që të marrë masat e nevojshme dhe ta mbështesë Inspektoriatin me buxhetin e nevojshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë