Nga Gazeta 'SI' - Një studim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial, UNIDO, nxjerr në pah pabarazinë gjinore në sektorin bujqësor, në Shqipëri.
Konkretisht, është marrë në studim fusha e bimëve medicinale dhe aromatike, ku ndonëse punojnë mbi 60.000 gra, drejtimin e kanë burrat.
Anketa tregon se burrat janë në krye të të gjitha punëve në këtë sektor, nga përcaktimi i bimës së kultivuar, shitja dhe paratë. Gratë janë përgjegjëse vetëm për monitorimin e punëtorëve
Pjesëmarrja në trajnime dhe takime informuese është detyrë e burrave, në 90% të rasteve.
Burrat merren kryesisht me elementët parësorë, inputet dhe tregtinë, ndërsa gratë merren me shkuljen dhe korrjen.
Anketa gjen se monitorimi i cilësisë është detyrë e burrave, por garantimi i cilësisë mbulohet nga gratë, duke i quajtuar ato një faktor kritik në këtë aktivitet.
Por të dhënat tregojnë se ka pabarazi të thellë mundësia e grave për t’u përfshirë në aktivitete produktive dhe për t’u fuqizuar ekonomikisht. Në më shumë se 4 në 5 raste, pronat janë të regjistruara në emrin e burrave. Ka një hendek gjinor edhe në aksesin në financë dhe mbështetjen buxhetore – subvencionet jepen më së shumti për burrat. Nga ana tjetër, mundësitë që gratë të aksesojnë shërbime këshillimi janë më të limituara se sa burrat që janë po ashtu fermerë.
UNIDO sugjeron përfshirjen e plotë të grave në të gjitha proceset e aktiviteve bujqësore, për të rritur konkurrencën dhe cilësinë.
Po ashtu thekson nevojën për të shtuar dhe lehtësuar aksesin e grave fermere në programet e subvencionimit .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.