Njerez

Raporti: Nxënësit shqiptarë i besojnë më shumë ChatGPT-së sesa psikologëve të shkollës

Nga Gazeta Si- Për shkak të mungesës së besimit ose stigmatizimit, nxënësit shqiptarë në disa raste zgjedhin alternativa të tjera për të marrë këshilla konfidenciale, përfshirë edhe përdorimin e platformave online si ChatGPT, të cilat i bëjnë të ndihen më të sigurt.

Ritvana Hajdari, autore e raport-monitorimit “Psikologët në shkolla” thotë se ky është një sinjal alarmi për shërbimin psikosocial në shkolla dhe jo vetëm, por njëkohësisht edhe një tregues i qartë i nevojës për rritje të aksesueshmërisë dhe konfidencialitetit.

“Perspektiva e nxënësve tregon se prania e psikologut në shkollë është e njohur dhe potencialisht e vlefshme, por ndikimi i saj mbetet i kufizuar nga mjedisi fizik, stigma, mungesa e konfidencialitetit dhe prezencës”, shkruan Hajdari në raportin e publikuar nga Qëndresa Qytetare.

Përmes intervistave me nxënës të ciklit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, doli në pah një tablo shumëdimensionale mbi mënyrën se si perceptohet dhe funksionon shërbimi psikologjik në shkolla. Në përgjithësi, nxënësit deklaruan se e dinë që në shkollën e tyre ka një psikolog dhe se kjo figurë u është prezantuar në klasë, duke i informuar se mund të drejtohen tek ajo në rast shqetësimesh apo nevoje për konsultim. Megjithatë, nga përgjigjet rezulton se aksesueshmëria reale dhe besueshmëria e këtij shërbimi mbetet e kufizuar.

Shumë nxënës shprehën hezitim për t’iu drejtuar psikologut për shkak të frikës se informacioni i ndarë nuk do të mbetet konfidencial dhe mund të bëhet i ditur tek mësuesit apo shokët e klasës.

“Ky perceptim, i kombinuar me stigmën shoqërore që ende përndjek shëndetin mendor, bën që vizita tek psikologu të shihet si tregues problemi dhe jo si një burim normal mbështetje”.

Një tjetër element i shprehur nga nxënësit lidhet me mjedisin fizik ku zhvillohet shërbimi.

Zyra e psikologut shpesh perceptohet si jo-miqësore, me pamje të ngurtë ose zyrtare që ngjason me “hetim” apo “gjyq”. Ky ambient nuk krijon ndjenjën e sigurisë emocionale që është thelbësore për të nxitur hapjen dhe komunikimin e lirë.

Nga intervistat gjithashtu rezulton se nxënësit presin që psikologu të jetë më i dukshëm dhe i integruar në jetën e përditshme të shkollës, përtej orareve të zyrës. Ata e lidhin besueshmërinë me praninë e vazhdueshme dhe përfshirjen në aktivitete edukative, ku psikologu mund të shfaqet si figurë e afërt, e kuptueshme dhe jo vetëm si funksionar i jashtëm.

Mungesa e prezencës së rregullt shihet si arsye pse shumë nxënës nuk i kërkojnë ndihmë psikologut, edhe kur kanë nevojë.

Sipas nxënësve, sfidat kryesore që ata përballen dhe për të cilat do të donin mbështetje përfshijnë bullizmin, ndjenjën e izolimit, presionin shoqëror, vetminë, konfliktet që lindin nga rrjetet sociale, si dhe stresin akademik dhe familjar.

Ndërkohë, në intervistat me mësuesit, vërehet se perceptimi i tyre ndaj shërbimit psikosocial mbetet i dyzuar.

Kritikat janë të shumta dhe të drejtpërdrejta. Mësuesit e përshkruajnë bashkëpunimin me psikologun si minimal, shpesh i kufizuar në takime formale ose në ndërhyrje të rastit.

Në raport shkruhet se figura e psikologut shihet si e paqartë dhe e largët, duke mos u prezantuar si një aktor i natyrshëm i jetës shkollore.

“Nxënësit nuk e njohin dhe nuk ia dinë funksionin. Ai nuk duhet të shihet si mësues zëvendësues, por si mbështetje reale”, tha për Qëndresën Qytetare një nga mësuesit.

Një tjetër kritikë lidhet me mungesën e trajnimeve cilësore. Shumë mësues raportojnë se trajnimet që u ofrohen janë të përsëritura, shpesh vetëm mbi bullizmin, ndërkohë që realiteti në klasë është shumë më kompleks.

“Trajnuesit kanë ardhur vetëm për të kryer detyrën dhe janë larguar, nuk ka qenë asgjë interaktive”, tha një tjetër mësues.

Një pjesë e mësuesve theksojnë gjithashtu se, ndonëse ekziston një protokoll për zgjidhjen e rasteve, në praktikë ai shpesh mbetet formal ose nuk zbatohet me rigorozitet.

Për këtë arsye, shumë prej tyre ndihen të detyruar të zgjidhin vetë problematikat në klasë, duke marrë role që nuk u takojnë.

Një mësuese tregoi se kishte krijuar një fletore ku regjistronte çdo rast, mënyrën si u trajtua dhe kush u përfshi, një praktikë individuale që zëvendësonte boshllëkun që lë mospërfshirja aktive e psikologut.

Në raport shkruhet se në kryeqytet dhe qytetet e mëdha, prania e psikologut është më e dukshme, infrastruktura janë më të mira, pasi ka dhe kërkesë llogaridhënie më të lart.

Në zonat periferike, përkundrazi, stigma është më e fortë, roli i psikologut shpesh nuk njihet dhe mungesa e resurseve e bën punën më të vështirë.

Një element që del nga analiza është fakti se jo të gjithë psikologët janë të mbingarkuar.

Ndërsa disa e ndajnë kohën mes disa shkollave dhe kanë volum pune të madh, të tjerë janë të pranishëm në shkollë, por mbeten pasivë, duke mos u përfshirë në mënyrë të dukshme në jetën e përditshme të saj.

Në intervistat e zhvilluara me psikologët shkollorë del qartë një panoramë komplekse e shërbimeve psikosociale, ku realiteti i përditshëm përshkohet nga sfida të shumta, por edhe nga përpjekje individuale për të ruajtur funksionalitetin e shërbimit.

Një nga problemet më të theksuara lidhet me mungesën e infrastrukturës adekuate. Disa psikologë treguan se mbulojnë dy shkolla dhe se në njërën prej tyre nuk kanë as zyrë të dedikuar, duke u detyruar të përdorin përkohësisht zyrën e drejtorit.

Kjo situatë jo vetëm cënon konfidencialitetin, por krijon edhe një ambient aspak mikpritës për nxënësit. Edhe aty ku ekziston një zyrë, kushtet janë të pamjaftueshme, mungesë interneti, pajisjesh bazike dhe elementësh të domosdoshëm për ruajtjen e dokumentacionit.

Një prej psikologëve tha se vetëm këtë vit kishte marrë kompjuterin e parë për punë.

Një tjetër sfidë madhore lidhet me qëndrimin e prindërve, ku paragjykimi dhe neglizhenca shpesh përbëjnë pengesën kryesore për funksionimin e shërbimit.

Psikologët kanë raportuar raste kur prindërit kanë refuzuar që fëmijët e tyre të takohen me specialistin, duke e parë këtë proces si stigmë apo si një tregues dështimi familjar.

Në zonat e vogla, ku komunitetet janë më të mbyllura, kjo problematikë është edhe më e theksuar, duke izoluar psikologun dhe duke e kufizuar rolin e tij në ndërhyrjet e nevojshme.

Marrëdhëniet me stafin mësimor gjithashtu paraqiten kontradiktore. Në disa raste, bashkëpunimi është i plotë dhe mësuesit ndihmës e shohin psikologun si partner të domosdoshëm për mbështetjen e nxënësve me aftësi të kufizuara. Megjithatë, mësuesit e lëndëve shpesh hezitojnë të marrin përgjegjësi dhe e perceptojnë shërbimin psikosocial si një element dytësor në jetën e shkollës.

Një psikolog tha hapur se megjithëse ekzistojnë protokolle për bashkëpunimin, në praktikë shumë prej tyre mbeten vetëm në letër dhe nuk ndiqen me seriozitet.

Kjo situatë shpesh bën që problematikat e nxënësve të zgjidhen në mënyrë të fragmentuar, pa koordinim mes aktorëve të shkollës.

Nga analiza del se shërbimi psikosocial në shkolla vuan nga një paradoks, disa psikologë janë të mbingarkuar, duke mbuluar disa institucione dhe duke u përpjekur të përballojnë fluksin e rasteve, ndërsa të tjerë mbeten pasivë, të kufizuar në funksione formale pa ndikim real tek nxënësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë