Mjedis

Raporti: Investimet në qytetet e ndotura, do t’i kursejnë botës 24 trilionë dollarë

Sipas një hulumtimi të ri të botuar sot, nëse do të investonim 1.83 trilion dollarë rreth 2 përqind të PBB-së globale në vit për uljen e emetimeve urbane, qeveritë do të gjeneronin kthime vjetore me vlerë tre herë më shumë. Kursimi i kostos së energjisë do të arrijë në 2.80 trilion dollarë në vit, deri në 2030-tën dhe 6.98 trilion dollarë deri në vitin 2050, sipas një projekti kërkimor të Bashkimit Europian, i cili u udhëhoq nga një grup prej 50 institucionesh ndërkombëtare, nën ‘Koalicionin për Tranzicionin Urban”.
Studimi zbuloi se këto kursime me kalimin e kohës do të arrijnë në 24 trilionë dollarë deri në vitin 2050. Dhe sipas raportit ky vlerësim është konservator sepse, shifrat nuk përfshijnë përfitime më të gjëra, siç janë fitimet e produktivitetit afatgjatë ose përmirësimi i shëndetit publik.


"Me çmime më të larta të energjisë dhe norma më të shpejta të mësimit teknologjik, vlera aktuale neto e këtyre investimeve mund të rritet deri në 38.19 trilion dollarë", thuhet në raport.
Gjithashtu, raporti përcakton se emetimet e përgjithshme në qytete mund të ulen afro 90% deri në vitin 2050, nëse janë vendosur masat për karbon të ulët në sektorët e ndërtesës, transportit, materialeve dhe mbeturinave.
"Në terma absolutë, këto kursime janë më të mëdha se emetimet e kombinuara të lidhura me energjinë në vitin 2014 të dy emetuesve më të mëdhenj, Kina dhe SHBA,” thuhet në raport, i cili u bën thirrje qeverive t’u japin përparësi në qytetet e papastra, në mënyrë që të sigurojnë prosperitetin ekonomik për trajtimin e krizës klimatike.

Raporti u prezantua në Samitin e Aksionit të Klimës të mbledhur në New York nga Sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, pritet që të ketë edhe protesta për klimën të cilat, sipas raportit do të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverive.
"Qytetet janë shtëpi për më shumë se gjysmën e popullsisë së botës dhe gjenerojnë 80% të produktit të brendshëm bruto dhe tre të katërtat e emetimeve të karbonit nga përdorimi i energjisë," tha Christiana Figueres, ish sekretarja ekzekutive në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike
Kështu që mund të themi fare mirë që qytetet janë, një levë e fuqishme për të trajtuar ngrohjen globale. Megjithatë përfitimet nga luftimi i fenomenit të ngrohjes globale janë harruar sipas Figueres, e cila tashmë është nënkryetare e Paktit Global të Kryetarëve të Kominave, një koalicion global i udhëheqësve të qyteteve që adresojnë ndryshimin e klimës.
“Është si të humbësh peshë. Kur humbisni peshë, ju ndjeheni më mirë, konsumoni ushqime më të shëndetshme dhe kjo tregon që nuk do të keni probleme shëndetësore,” tha ajo.

Figueres ka qenë gjithashtu kryesore në miratimin e Marrëveshjes së Parisit në 2015, tha se investimi në qytete do të kishte edhe përfitime shëndetësore e sociale, pasi do të kontribuonte në pastrimin e ajrit, zvogëlimin e trafikut dhe do të ndihmojë krijimin e 87 milion vendeve të punës, deri në vitin 2030 në sektorë të tillë si energji e pastër dhe transporti publik.
Në raport shkruhet se më pak se pesë vende të botës kanë një strategji të qartë kombëtare se, si qytetet mund të ndihmojnë në uljen e gazeve në mjedis, me veprimtarinë e tyre të përditshme.
"Trajtimi i krizës klimatike dhe sigurimi i prosperitetit ekonomik është i mundur. Qytetet e qëndrueshme dhe rezistente do të luajnë një rol kryesor. Por qeveritë lokale nuk mund ta drejtojnë vetë tranzicionin e karbonit zero. Mbështetja e fortë e qeverive kudo në botë është thelbësore për të nxjerrë potencialin e plotë transformues të qyteteve," tha ministri gjerman i mjedisit Svenja Schulze, i cili foli në konferencën për shtyp./Euractiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë