Menaxhim

Raporti/ Institucionet e drejtësisë më të korruptuarat

Perceptimi se korrupsioni i lartë është shumë i përhapur në Shqipëri në vitin 2020, u ul me 1% krahasuar me vitin 2019, megjithatë mbeti në nivele të larta.

Krahasuar me të njëjtin vit, një përqindje më e lartë të anketuarish, rreth 13%, raportuan se kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim nga qeveria qendrore.

Raporti “Besimi në qeverisje” nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim i cili përdor një kampion përfaqësues kombëtar prej 2.500 personash, thekson se 84.1% e qytetarëve raportuan se korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri është shumë i përhapur.

“Korrupsioni i nivelit të lartë është abuzimit i pushtetit të nivelit të lartë që u sjell fitime një grupi të vogël njerëzish në kurriz të shumicës dhe u shkakton dëm serioz dhe të gjithanshëm individëve dhe shoqërisë. Ndërsa korrupsion i nivelit të ulët është abuzimi i pushtetit që i është besuar një zyrtari publik në marrëdhëniet me qytetarët”, shpjegon raporti.

Të pyetur se cili ishte institucioni më i korruptuar në vitin 2020, 602 nga 2407 qytetarë treguan sistemet e drejtësisë, 398 thanë institucionet e sistemit shëndetësor dhe 167 insituticionet e zbatimit të ligjit.

Gjithashtu sipas raportit 7 në 10 shqiptarë nuk kanë besim në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Arsyeja kryesore për dhënien e ryshfetit, sipas të anketuarve, ishte se u ishte kërkuar një gjë e tillë.

46.8% e të anketuarve që treguan se kishin paguar ryshfet raportuan se u ishte kërkuar të paguanin ryshfet, 25.3% raportuan se kishin dhënë ryshfet për të marrë shërbime më të mira në të ardhmen dhe 16.4% raportuan se kishin paguar ryshfet për të shprehur mirënjohjen e tyre te zyrtari që u kishte shërbyer.

Ashtu si në vitin 2019, institucionet fetare u perceptuan si institucionet më pak të ndikuara politikisht, ndërkohë që prokuroria dhe gjykatat u konsideruan si institucionet më shumë të ndikuara.

Pas institucioneve fetare, institucionet që u perceptuan si më të pavarurat nga interesat politike ishin organizatat e shoqërisë civile (48.6%), ushtria (37.6%), institucionet e sistemit arsimor (28.9%) dhe institucionet e kujdesit shëndetësor (25.6%).

Krahasuar me vitin 2019, një përqindje më e vogël të anketuarish konsideronin gjykatat, median, dhe organizatat e shoqërisë civile si të ndikuara nga interesat politike; ndërkohë që një përqindje më e madhe e shqiptarëve mendonin se sistemi shëndetësor ndikohet nga interesat politike.

Ndërsa perceptimi se prokuroritë dhe gjykatat janë shumë të ndikuara nga politika ishte ulur përkatësisht me 1 dhe 6% krahasuar me vitin 2019.

Edhe për shërbimet publike, në vitin 2020, 38% e shqiptarëve, mesatarisht, ishin të kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë – përqindje më e ulët se në 2019 (42%).

Mesatarisht 56.5% e pjesëmarrësve të këtij studimi raportuan se ishin të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë.

Rënie u vu re, në mënyrë të veçantë, me shërbimin e kujdesit shëndetësor publik, shërbimin e furnizimit me ujë, shërbimin e transportit publik, shërbimin e emergjencës, shërbimin e policisë, shërbimin e transportit rrugor dhe shërbimin e regjistrimit dhe licencimit të biznesit.

Krahasuar me Sondazhin e vitit 2019, përqindja e të gjithë të anketuarve që ishin të kënaqur me shërbimet publike ra në 11 nga 16 kategoritë e shërbimeve publike bazë dhe administrative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë