Nga Gazeta Si- 36 institucione arsimore të niveleve të ndryshme, vunë në dispozicion faqet zyrtare të tyre në favor të fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Të gjitha këto institucione në varësinë e Ministrisë së Arsimit, janë angazhuar në forma të ndryshme, duke përfshirë pëlqimin, komentimin apo shpërndarjen, me postime që kanë në përmbajte të tyre thirrje elektorale. Gjithashtu nuk ka munguar as përdorimi i ambienteve të shkollave për takime elektorale.
Në këtë përfundim ka dalë Organizata ‘Qëndresa Qytetare’ pas një monitorimi të bërë që prej janarit të këtij viti.
Në vitin 2025, shkruan organizata, është raportuar se disa shkolla dhe universitete janë përdorur për organizimin e aktiviteteve të subjekteve politike, kryesisht të partisë në pushtet, ndërkohë që një pjesë e administratës arsimore është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në fushatë.
“Në zgjedhjet e këtij viti, vëzhgimet paraprake tregojnë se kjo praktikë vazhdon të jetë e pranishme, pavarësisht reformave dhe rritjes së ndërgjegjësimit për nevojën e një administrate neutrale. Kjo vë në pikëpyetje efektivitetin e masave mbrojtëse dhe rolin e institucioneve përgjegjëse në mbikëqyrjen e neutralitetit të administratës publike”, shkruhet në raport monitorim.
Prej datës 11 Janar 2025, institucionet dhe zyrtarët publikë janë të detyruar të zbatojnë kufizimet e përcaktuara në Nenet 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor. Këto masa synojnë të parandalojnë abuzimin me burimet shtetërore gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.

15 shkolla 9-vjeçare, 2 Shkolla të Mesme të Përgjithshme, një Shkollë e Mesme Pedagogjike, 13 Zyra Vendore Arsimore, 4 Drejtori Rajonale të Arsimi Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitare, në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale kanë shpërndarë aktivitete elektorale të Ogerta Manastirliut dhe Partisë Socialiste.
Më 13 Janar, ‘Qëndresa Qytetare’ depozitoi një kallëzim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për 36 institucione arsimore të niveleve të ndryshme, me argumentin se këto të fundit, kanë përdorur faqet e tyre zyrtare për qëllime elektorale.
Shkollat “Neim Muçelli” Pretushë, “Ismail Jangulli” Godvi, “Koli Dimo” Frashër, “Koli Sako”, shkolla Kajan (Jashar Dunga), shkolla 9- vjeçare “Alush Grepcka”, dhe ajo 9-vjeçare “Ahmet Zogu” kanë fshirë postimet elektorale, madje disa prej tyre edhe postime të tjera që lidhen me Manastirliun gjatë muajit Janar, “duke u munduar të ‘fshehin’ faktet e denoncimit”, shkruhet në raport.
Si u argumentua shpërndarja e postimeve elektorale?
Më 27 Janar, në mbledhjen e zhvilluar për këtë çështje nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, përfaqësues të shkollave deklaruan se postimet janë fshirë me argumentin se shpërndarja e tyre ishte bërë në mënyrë aksidentale, pa pasur ndonjë qëllim politik.
“Është një postim i bërë nga një administratore e shkollës sonë. Nuk ka asnjë prapavijë politike, por thjesht një lapsus, një gabim, e cila nuk ka qenë korrekte në zbatimin ligjor që e predispozon ligji. Administratori kryesor i faqes nuk është pjesë e sistemit arsimor, por është një person i jashtëm“, tha drejtuesi i shkollës 9-vjeçare “Ismail Jangulli” Godvi.
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Mustafa Greblleshi” në Tiranë deklaroi se ka ngatërruar adresën personale në rrjetet sociale me atë të institucionit arsimor.
“Menjëherë sapo jam njoftuar me email nga Zyra Vendore Arsimore, unë jam futur në llogarinë e shkollës dhe vërtetë pashë që kisha bërë një ‘like’.
Kjo është bërë pa vetëdije, sepse në telefonin tim celular, mund të vërtetohet kollaj, mbaj dy llogari, një personale dhe një të shkollës. Ngatërresa është pa tendencë dhe nuk jam as e shtyrë e as ndikuar nga dikush që unë të bëj postime të kësaj natyre”, u shpreh ajo.
Përdorimi i faqeve zyrtare të shkollave për qëllime politike, qoftë edhe nga pakujdesia, cënon parimet e paanshmërisë dhe besueshmërisë së institucioneve arsimore. Administrimi i kujdesshëm i komunikimit publik është detyrim ligjor dhe etik i çdo drejtuesi shkollor. Arsimi duhet të mbetet i lirë nga çdo ndikim politik, duke ruajtur integritetin dhe pavarësinë e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.