Në Shqipëri situata në menaxhimin e fondeve në sektorin e shëndetësisë ka mungesa të theksuara sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Ky është rezultati i një raporti të fundit nga Shoqata “Together for Life” ku shpjegohet se Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë dhe rajonin e Ballkanit që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve.
Raporti shkruan se Institutet Shkencore (ISHP) dhe të tjera si Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm nuk kanë publikuar deri më tani asnjë studim rreth sjelljes së virusit në popullsinë shqiptare.
“Nuk ka të dhëna mbi suverjancën e pandemisë dhe ndikimin në zona dhe grup mosha të caktuara”, përcakton raporti.
Raporti përcakton se si pasojë e mungesës së konsistencës së kodeve të projekteve të dedikuara për përballimin e COVID-19 dhe rishikimeve të shumta pas akteve normative me disa VKM, gjurmimi deri në realizimin përfundimtar të fondeve COVID-19 rezultoi i vështirë, thuajse i pamundur.
Analiza e Shoqatës “Together for Life” tregon se mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve që shkuan për menaxhimin e pandemisë ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili nuk ka në thelb të punës së tij monitorimin e tenderëve.
“Fondi ka vërejtur se keq menaxhimi i fondeve publike është duke ndikuar negativisht borxhin publik të vendit, i cili është në thelb të punës së Fondit. FMN informoi se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet dhe t’i publikojë ato”, shpjegon raporti.

Ministria e Shëndetësisë, e cila u ndoq nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, u renditen në krye të enteve publike për riskun e lartë të zbatimit të ligjit dhe të përdorimit të fondeve publike. Sipas të dhëba nga 6440 procedura të publikuara për prokurime (pa përfshirë ankande dhe koncesione)të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2020, për 532 ose për 8.2 % prej tyre janë paraqitur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik.
Nga numri total, të dhënat tregojnë se Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta, pas Agjencisë së Blerjeve, të përqendruara për numrin e madh të ankesave, me 26 gjithsej ose rreth 5% të totali të ankesave.
“Nisur nga numri total i ankesave të shqyrtuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se 42,7 % (317) prej tyre janë ankesa të procedurave të prokurimit të llojit “mall”. Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta me 20 ankesa nga operatorët që kishin marrë pjesë në tenderët e zhvilluar me blerje mallrash”, thuhet në raport.
Më tej janë gjetur mospërputhje të të dhënave të kontratave të nënshkruara të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik me ato të regjistruara në SIFQ (në sistemin e thesarit të Ministrisë së Financave). Sipas analizës së TFL, Ministria e Shëndetësisë u rendit e para për këtë shkelje, ku sipas APP(agjencia e prokurimit publik), janë zhvilluar 601 procedura prokurimi, ndërkohë në SIFQ rezultojnë vetëm 5 kontrata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



