Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë duke pretenduar se ka ushtruar presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas kreut të PD-së, Ministri i jashtëm Igli Hasani ka kërcënuar vëzhguesit që të ndryshojnë këtë raport.
Ish-kryeministri pubikoi letrën ku sipas tij thuhet: “Dua të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025″.


“Farsa elektorale e 11 majit 2025 është procesi elektoral më i shëmtuar në 32 vite pas rënies së Perdes së Hekurt. Është procesi më i diskredituar. Është procesi më i korruptuar.
Ju jeni dëshmitarë se këtu, nga kjo sallë, nga Parlamenti Europian dhe asambleja parlamentare e OSBE, kam denoncuar me forcën më të madhe këcënimet, presionet e Edi Ramës dhe ministrit Igli Hasani ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.
Siç unë u kam njoftuar, laptopi po bën transparencë të madhe.
Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së.
Pas kortezisë, në letër thuhet: ‘Lidhur me deklaratën e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake, dua t’ju përcjell pritshmërinë që këto raporte të pasqyrojnë me saktësi realitetet e observuara në terren gjatë procesit elektoral’.
Dhe vazhdon: ‘Në këtë drejtim, dua të shpreh shqetësimin serioz (imagjinoni ju çfarë mafiozësh janë këta, ata sa e kanë lexuar raportin, dhe ky sikur t’ua ketë marrë kopjen para) lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025’”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




