Zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të mbahen mend si të vetmet ku opozita nuk mori pjesë, si dhe për faktin se në gjysmën e bashkive pati vetëm një kandidat, pa një ofertë alternative për zgjedhësit. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë që drejtohet nga ambasadorja Audrey Glover në konkluzionet paraprake pas mbylljes së këtij procesi, shmangu dukshëm vlerësimin që përherë jepte përpara se të publikohet raporti përfundimtar nëse i plotësuan standardet e kërkuara ndërkombëtare.
Pavarësisht këmbënguljes të gazetarëve, Glover u shmang disa herë duke theksuar se duhet pritur një tablo e plotë, me mbylljen e procesit zgjedhor të pazakontë në Shqipëri. “Zgjedhjet certifikohen nga gjykata dhe duhet pritur të krijohen”, deklaroi Glover një ditë pas votimeve të 30 qershorit. Në këtë raport nuk munguan edhe kritikat ndaj opozitës për situatën e krijuar.

“Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shënuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore. Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar.. Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor”, thuhej në këtë raport paraprak. Më tepër ODIHR dukej sikur merrej më shumë me opozitën se sa me mazhorancën, qeverinë e cila ka detyrimin të garantojë procesin zgjedhor.
Nxjerrja e disa dekreteve duket se ka vënë në vështirësi këtë mision, ndërsa Glover ka qenë edhe me kontestimeve të presidentit për qëndrimin e misionit, ku vetë Meta deklaroi se “nuk ka pranuar propozimin e këshilltarëve të tij për t’i kërkuar largimin e misionit ndërkombëtar”.
Fjalën “standard” ODIHR e përmend vetëm një herë dhe kjo vetëm për qëllimin e misionit për të vëzhguar zgjedhjet.
Raportet e shkuara
Por në vlerësimet e shkuara të ODIHR, një mision që monitoron prej 13 vitesh zgjedhjet plotësimi i standardeve ka qenë kryefjala e raportit. Në zgjedhjet e vitit 2015, për pushtetin lokal ku në krye të saj ishte Glover, standardet kishin një rëndësi. “Zgjedhësit kishin mundësinë të zgjidhnin midis një spektri të qartë kandidatësh ku përgjithësisht u respektuan liritë themelore të shprehjes dhe tubimit, ndërkohë politizimi i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore, dëmtoi administrimin efikas të procesit zgjedhor. Përgjithësisht dita e zgjedhjeve u vlerësua pozitivisht, por u vëzhguan shumë raste të votimit në grup dhe disa parregullsi të rëndësishme procedurale. Zgjedhjet shihen si një provë e rëndësishme e ecurisë së reformës për qeverisjen vendore dhe e arritjes së fundit të Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për Bashkimin Evropian…..zbatimi i paqëndrueshëm i rregullave për regjistrimin e kandidatëve, përfshirë dorëzimin e nënshkrimeve mbështetëse dhe mundësinë për t’u tërhequr, pengoi të drejtën për të qënë të barabartë që është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtar”, thuhej në këtë raport. Në këtë dokument përmendet 11 herë fjala standard, nëse u arritën ose jo ato.

Raporti final për zgjedhjet parlamentare 2017
Për misionin e vëzhguesve të ODIHR dhe OSBE zgjedhjet parlamentare të 2017-ës shihen si më larg arritjes së standardeve zgjedhore, e kjo lidhet me faktin se pati një krizë të fortë politike, ku opozita vendosi në momentet e fundit për t’u futur në betejën zgjedhore, falë një marrëveshjeve politike të minutës së fundit mes dy liderëve kryesorë të politikës, Edi Rama të PS-së dhe Lulzim Basha të PD-së.
“Ndonëse marrëveshja kontribuoi në një proces zgjedhor më përfshirës dhe një fushatë më pak të polarizuar, zbatimi i saj shpesh vuri në rrezik parimet themelore të shtetit të së drejtës. Miratimi i vonshëm i ndryshimeve ligjore dhe mungesa e konsultimeve domethënëse publike cenuan sigurinë juridike dhe ndikuan negativisht në administrimin e disa komponentëve zgjedhorë, në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës. Zgjedhjet u vlerësuan për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtarë për zgjedhje demokratike, si dhe legjislacionin vendas”.

Vlerësimi për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011
Në zgjedhjet lokale të 8 majit do të mbahen mend si ato që sollën rrëzimin e Edi Ramës nga “mbretërimi” i gjatë në bashki për 10 vota dhe hapje kutish. Mungesa e besimit dhe cenimi i disa standardeve ishin disa nga vlerësimet e misionit të ODIHR. “Ndërkohë që zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, ato ishin tejet të polarizuara, me mungesë besimi ndërmjet partive politike në qeveri dhe opozitës. Sikundër në zgjedhjet pararendëse, dy partitë e mëdha nuk i përmbushën detyrat e tyre zgjedhore me përgjegjshmëri, duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet u vlerësuan në drejtim të përputhjes së tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike si edhe me legjislacionin vendas”, thuhet në këtë raport.
Pas dy muajsh ODIHR do të japë vlerësimin për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa do të pritet më kërshëri nëse do t’i arrijnë në konkluzionin se ishin sipas standardeve. Dikur në raportet e misioneve ndërkombëtare kishte shprehje “të lira dhe të ndershme, apo një hap para drejt plotësimit të standardit”. Shprehje këto që mungojnë në raportet e fundit, pasi siç do të shprehej dhe vetë Glover se “zgjedhjet mund të jenë të lira, por s’mund të jenë të ndershme, apo dhe anasjelltas”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




