Nga Gazeta Si- Mes vajzave adoleshente që kanë qenë në një lidhje, gati një e katërta (24%), afër 19 milionë kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri deri në moshën 20-vjeçare, siç theksohet nga një analizë e re nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) botuar në ‘The Lancet Child & Adolescent Health’. Pothuajse 1 në 6 kanë përjetuar dhunë të tillë vitin e kaluar.
“Dhuna nga partneri po fillon në mënyrë alarmante herët për miliona vajza të reja në mbarë botën,” tha Dr Pascale Allotey, Drejtore e Departamentit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe Kërkimit të OBSH-së.
“Duke pasur parasysh se dhuna gjatë këtyre viteve kritike të formimit mund të shkaktojë dëme të thella dhe të qëndrueshme, ajo duhet të merret më seriozisht si një çështje e shëndetit publik me fokus në parandalimin dhe mbështetjen e synuar.”
Në raport thuhet se gjetjet tregojnë se në shumicën e rajoneve, prevalenca e dhunës nga partneri është më i lartë në mesin e vajzave adoleshente krahasuar me gra deri në 49 vjeç.
Dhuna nga partneri mund të ketë ndikime shkatërruese në shëndetin e të rinjve, arritjet arsimore, marrëdhëniet e ardhshme dhe perspektivat gjatë gjithë jetës. Nga pikëpamja shëndetësore, rrit gjasat e lëndimeve, depresionit, çrregullimeve të ankthit, shtatzënive të paplanifikuara, infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shumë problemeve të tjera fizike dhe psikologjike.
Ky studim bazohet në të dhënat ekzistuese dhe është hera e parë që kryhet një analizë e detajuar e prevalencës së dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri, përjetuar nga vajzat 15-19-vjeçare që kanë qenë në marrëdhënie. Ai gjithashtu identifikon faktorë më të gjerë social, ekonomik dhe kulturor që rrisin rreziqet e tyre.
Ndërsa dhuna ndaj vajzave adoleshente ndodh kudo, autorët theksojnë dallime të rëndësishme në prevalencë. Bazuar në vlerësimet e OBSH-së, rajonet më të prekura janë Oqeania (47%) dhe Afrika Qendrore Sub-Sahariane (40%), ndërsa normat më të ulëta janë në Evropën Qendrore (10%) dhe Azinë Qendrore (11%).
Analiza e re zbuloi se dhuna nga partneri ndaj vajzave adoleshente është më e zakonshme në vendet dhe rajonet me të ardhura më të ulëta, në vendet ku ka më pak vajza në shkollën e mesme dhe ku vajzat kanë të drejta më të dobëta në krahasim me meshkujt.
“Martesa e fëmijëve (para moshës 18 vjeç) përshkallëzon ndjeshëm rreziqet, pasi dallimet në moshë bashkëshortore krijojnë çekuilibër pushteti, varësi ekonomike dhe izolim social dhe të gjitha këto rrisin gjasat për të duruar abuzimin”, thuhet në studim.
Vajzat adoleshente kanë nevojë për shërbime dhe mbështetje
Studimi thekson nevojën urgjente për të forcuar shërbimet mbështetëse dhe masat e parandalimit të hershëm të përshtatura për adoleshentët, së bashku me veprimet për të avancuar me të drejtat e grave dhe vajzave, nga programet në shkollë që edukojnë djemtë dhe vajzat për marrëdhënie të shëndetshme dhe parandalimin e dhunës, deri te ato ligjore për mbrojtjen dhe fuqizimin ekonomik. Meqenëse shumë adoleshenteve u mungojnë burimet financiare, ato mund të përballen me sfida të veçanta për t’u larguar nga marrëdhëniet abuzive.
“Studimi tregon se për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore, vendet duhet të kenë politika dhe programe që rrisin barazinë për gratë dhe vajzat,” tha autorja e studimit Dr Lynnmarie Sardinha,
Kjo nënkupton sigurimin e arsimit të mesëm për të gjitha vajzat, sigurimin e të drejtave pronësore të barabarta gjinore dhe përfundimin e praktikave të dëmshme si martesat e fëmijëve, të cilat shpesh mbështeten nga të njëjtat norma të pabarabarta gjinore që përjetësojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Aktualisht, asnjë vend nuk është në rrugën e duhur për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave deri në datën e synuar të Objektivit për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030. Përfundimi i martesës së fëmijëve, që prek 1 në 5 vajza globalisht dhe zgjerimi i aksesit të vajzave në arsimin e mesëm janë faktorë kritikë për reduktimin e dhunës nga partneri ndaj vajzave adoleshente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.