Gazeta Si – Rajoni i Toskanës është një vend i pastrimit të parave. Kjo është ajo që del nga raporti 6-mujor i DIA-s italiane (Drejtoria e Hetimit Antimafia), ku mes të tjerash theksohet roli i rëndësishëm i mafies shqiptare, i cili është i përqëndruar te trafiku i drogës dhe prostitucioni.
Por nga ana tjetër, DIA specifikon se këto grupe kriminale janë të vështira për t’u ç’montuar, për shkak të aftësisë dhe lidhjeve të forta familjare mes tyre.
“Toskana, – thuhet në raport, – përfaqëson një territor me interes për organizatat kriminale, të cilat identifikojnë një kontekst të favorshëm për riinvestimin e kapitalit me origjinë të paligjshme. Kuadri socio-ekonomik rajonal, i karakterizuar nga një vokacion i fortë turistik-kulturor, përbën një atraksion për mafiozët, të cilët përpiqen të depërtojnë në tregjet legale”.
Raporti i DIA-s, vjen pak ditë pasi megaoperacioni i koduar “Ura” mes Shqipërisë dhe Italisë, goditi një rrjet të fuqishëm kriminal të trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës, i cili niste nga Ekuadori, vazhdonte në Holandë dhe përfundonte mes Puljias dhe Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, hetimet kanë dokumentuar dhjetëra episode të trafikut të lëndëve narkotike, me një vlerë fitimi të përllogaritur prej rreth 5 milionë euro.
Rrjetet kriminale shqiptare
Krimi i organizuar shqiptar (dhe në një masë më të vogël grupet rumune), vazhdon të merret “kryesisht me trafikun e kokainës dhe heroinës, duke përfshirë trafikun ndërkombëtar, por nuk heq dorë nga gjenerimi i fitimeve të konsiderueshme të paligjshme nëpërmjet aktiviteteve të tjera kriminale, si shfrytëzimi i prostitucionit, të kryera gjithashtu në formë të organizuar me grupe rumunësh ose nigerianësh”.
Ato shqiptare, thekson DIA, “duken si organizata kriminale që janë të vështira për t’u çmontuar për shkak të aftësisë së tyre për t’u rigjallëruar dhe ripërtërirë përmes marrëdhënieve të konsoliduara nga lidhjet familjare, si dhe aftësia e tyre për të mbajtur lidhjet me elementë jashtë vendit”.
Karakteristikat e mafies kineze
Në Toskanë, ka gjithashtu një prani të konsiderueshme të grupeve të huaja kriminale, veçanërisht me origjinë kineze, ballkanike dhe afrikano-veriore, të cilët veprojnë me metodologji të ngjashme me ato të mafies tradicionale italiane, “me të cilat ndonjëherë krijojnë bashkëpunime apo aleanca që synojnë optimizimin e fitimeve”.
Krimi i organizuar kinez (“mafia kineze”), e përqendruar mbi të gjitha në provincat e Firences, Pratos dhe Pistoias – në një zonë që shtrihet midis zonave industriale të Osmannoro në Firence dhe atyre të Montale dhe Quarrata në zonën e Pistoia-s – konfirmohet si një fenomen tinëzar “për shkak të elementëve të brendshme dhe të padepërtueshëm, për shkak të “solidaritetit”.
Falsifikimi i markave dhe kontrabanda e produkteve kanë në treg dhe në ekonominë legale, veçanërisht zinxhirin e furnizimit me tekstile dhe veshje”.
Sektorët ku, nënvizon DIA, “kompanitë kineze në mënyrë famëkeqe nisin prodhimin me shkelje të rënda të rregulloreve mjedisore, shëndetësore dhe të punës, shpesh me përdorimin e punës së paligjshme si dhe duke kryer parregullsi në çështjet e sigurisë. Një fenomen që shkon paralel me sistemet e transferimit të paligjshëm të kapitalit, i cili mund të konkludohet edhe nga hetimet që në të kaluarën e afërt kanë nxjerrë hipoteza për pastrim parash”.
Prania kriminale afrikane
Për më tepër, për vite me radhë, në rajonin e Toskanës janë konsoliduar prezenca kriminale nga Afrika e Veriut dhe Afrika Qendrore, të përkushtuara veçanërisht për shfrytëzimin e prostitucionit, “i cili shpesh degjeneron në forma të skllavërisë, shitjes me pakicë të mallrave të falsifikuara në qendrat e qyteteve kryesore turistike dhe trafikut të drogës”.
Mafiet italiane
Analizat e fundit, tregojnë një reduktim të ndikimit të organizatës mafioze “Cosa Nostra” (Sicili) dhe konsorciumeve mafioze në Pulia, “Camorra” (Napoli) dhe “Ndrangheta” (Kalabri), vazhdojnë të konsolidojnë praninë e tyre, kryesisht përmes riinvestimit të të ardhurave të paligjshme dhe trafikut të drogës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.