Politike

Raporti i DASH, Tabaku: Shqipëria me Qeverinë më të korruptuar në Europë

Duke interpretuar gjetjet e raportit të Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit, Partia Demokratike thotë se në të konfirmohet se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në Europë.

“Shqiptarët, qeverisen nga një shtet i kapur nga një qeverisje okulte që nuk respekton ekonominë e tregut dhe as konkurrencën. Për rrjedhojë sot ekonomia është në krizë, shqiptarët mbledhin më pak të ardhura në fund të muajit pasi vendi është më pak për tërheqës për investimet e huaja!”, deklaroi deputetja e zgjedhur e PD, Jorida Tabaku.

Tabaku rendit edhe ankesat e investitorëve amerikanë e të huaj, që sipas saj janë pasqyruar në këtë raport.

“Të gjithë investitorët dhe bizneset vendase apo të huaja e përjetojnë në vetën e parë korrupsionin, mungesën e sigurisë ligjore, rritjen e autokracisë së qeverisë dhe mungesën e klimës për të bërë biznes në Shqipëri. Pengesa kryesore për ekonominë është qeveria: çka nis që me procedurat korruptive, mungesa e konkurrencës e deri tek mungesa totale e transparencës në procesin ligjor dhe atë fiskal. Ajo çfarë një investitor gjen me siguri në Shqipëri, siç edhe raporti pohon, është korrupsioni, mungesa e sigurisë së pronës dhe njëkohësisht ligje abuzive që favorizojnë klientët e qeverisë”, vijoi Tabaku.

Sipas PD, ky nuk është më thjesht një perceptim, por një realitet i provuar tanimë nga dhjetëra raporte ndërkombëtare që vërtetojnë korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë dhe abuzimet me tenderat publik.

Përfaqësuesja e PD rendit 10 pika që zbulon raporti.

“Raportime të korrupsionit në prokurimet publike dhe në qeveri; Rritja e kontratave PPP që ka ulur mundësinë për konkurrencë, përfshirë edhe të investitorëve të huajl; Analizat e dobëta të kosto përfitimeve nga këto kontrata që shpesh janë kontrata dhe ligje preferenciale; Rritja e informalitetit që është kthyer në rrezik dhe problem për bizneset vendase dhe investitorët e SHBA. Sipas raportit gati mbi 40% e sektorit ekonomik të vendit është në informalitet të plotë; Korrupsioni endemik që ka minuar dhe minon Sundimin e Ligjit dhe pengon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm; Të drejtat e pronësisë nuk janë plotësisht të garantueshme ndërkohë që procesi i kompensimit është i paplotë dhe ineficent; Grupet e biznesit shqetësohen se nuk janë palë dhe as dëgjohen në konsultime publike në lidhje ligjet; Investitorët ankohen se ka konkurrencë të pa barabartë dhe monopole të krijuara me qëllim për të penguar tregun e lirë; Shqipëria ka standardet më të ulëta të transparencës fiskale; Procesi ligjvënës ka një transparencë minimale”, thotë ajo.

Për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit fillon me ekonominë e lirë dhe konkurrencën e ndershme është lufta kundër monopoleve, kundër asaj që e quan oligarki dhe klientelizmit.

“Ne jemi të bindur që vetëm një shtet i çliruar nga oligarkia ekonomike mund të ofrojë një ekonomi tregu. Ne jemi të qartë se vetëm vizioni i një ekonomie të lirë që një qeverisje për qytetarët dhe sipërmarrësit. Fatkeqësisht sot lufta ndaj korrupsionit është propaganda e ditës, ndërkohë që parlamenti vazhdon miraton ligje specifike me emra biznesesh e kontrata korruptive. Fatkeqësisht, Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Ku një pakicë kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve”, vijoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë