Gazeta Si - Shqipëria mbetet edhe për këtë vit një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupe të krimit të organizuar, që e shfrytëzojnë si rrugë tranzit për trafikimin e drogës në vendet e BE-së.
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin ndërkombëtar të kontrollit dhe luftës kundër trafikut të narkotikëve. Në të thuhet se kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi për t’u shkëmbyer me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen më në vendet e BE-së nga shtetas e trafikantë shqiptarë.
Raporti vlerëson bashkëpunimin e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare me ato amerikane dhe europiane, si dhe përpjekjet për konfiskimin e kokainës që vjen nga Amerika Latine në Portin e Durrësit.
“Autoritetet shqiptare regjistruan një rritje të konfiskimeve të kokainës përmes Portit të Durrësit në 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori. Ato morën pjesë në disa operacione ligjzbatuese në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë, ndër të tjera”, theksohet në raport.
Si shembull të bashkëpunimit me SHBA, raporti thekson vendimin e gjykatave shqiptare për të sekuestruar 1.2 milionë dollarë pasuri të Ylli Didanit, i cili në maars të 2021 u arrestua në SHBA për trafik droge.
Raporti vlerëson si të suksesshme punën e SPAK.
“SPAK ka regjistruar disa suksese në vitin 2021, duke përfshirë arrestimin e 38 individëve, duke përfshirë një prokuror dhe disa zyrtarë të lartë të policisë, në kuadër të një hetimi të madh ndërkombëtar për trafikimin e lëndëve narkotike”, thotë SHBA.
Gjithsesi, SHBA thekson se shtetasit shqiptarë vazhdojnë të luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të drogës në kuadër të grupeve të organizuara.
“Shqipëria është një element hallkë kyçe e rrugës ballkanike të trafikut të drogës për në Europën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe. Grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Europën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë dhe kanë krijuar lidhjet për blerjen, transportin, shpërndarjen dhe zinxhirët e shitjeve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara”, thekson raporti.
Paratë e siguruara nga këto trafiqe, sipas DASH, pastrohen më pas në Shqipëri.
“Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë për forcimin e korrupsionit në vend. Krimi në Shqipëri shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i frikësimit e kërcënimeve”, thuhet më tej.
DASH vëren se sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë të krimit të organizuar. Si zgjidhje, SHBA këmbëngul të reforma në drejtësi.
“Shqipëria duhet të vazhdojë reformën në drejtësi përpjekjet, shtrëngimi i rregulloreve dhe mbikëqyrjes kundër pastrimit të parave dhe puna për të gërryer ndikimin krimit të organizuar në të gjithë qeverinë dhe shoqërinë”, thekson DASH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.